STAMBOLL – Blinken dhe Erdogan diskutojnë luftën Izrael-Hamas

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 6 janar /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua sot me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në Stamboll, për të diskutuar luftën Izrael-Hamas në Gaza dhe kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO.

“Përveç Gazës, të dy liderët diskutuan hapat përfundimtarë për të përfunduar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, si dhe një shitje të parashikuar të SHBA të avionëve luftarakë F-16 në Turqi”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.

Shitjen e avionëve amerikanë, Erdogan e ka vënë si kusht që parlamenti turk të vazhdonte me votimin e plotë për kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n në maj 2022, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila shpreson të bashkohet këtë verë.

Megjithatë, Turqia akuzoi Suedinë për mungesë angazhimi në trajtimin e organizatave terroriste, si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe refuzoi të jepte miratimin e saj.

Anëtarët e rinj të aleancës së mbrojtjes duhet të miratohen unanimisht nga anëtarët aktualë.

Erdogan kohët e fundit njoftoi se ai do të lejonte ratifikimin nga parlamenti turk. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që Kongresi i SHBA-së të miratonte shpërndarjen e avionëve luftarakë të SHBA-së F-16 në Turqi.

Erdogan është një kritik i ashpër i operacionit të Izraelit në Gaza. Qeveria e tij mban lidhje me organizatën ekstremiste palestineze Hamas dhe refuzon etiketimin e grupit si organizatë terroriste, siç kanë bërë BE-ja dhe SHBA-ja.

Më herët, Blinken u takua gjithashtu me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan për të diskutuar krizën humanitare në Gaza.

Më pas, Blinken ka planifikuar të udhëtojë në Lindjen e Mesme, turneu i tij i katërt në rajon brenda tre muajve.

“Gjatë turneut, Blinken do të diskutojë hapat konkretë se si aktorët në rajon mund të përdorin ndikimin e tyre për të shmangur një përshkallëzim të luftës në Gaza”, tha zyra e tij.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like