Stabilitet në fushë dhe jashtë saj, Tirana tani është një skuadër e vërtetë

by admin
Spread the love

Pas 11 javësh të luajtura, Tirana është ngjitur në krye të kampionatit Abissnet Superiore për herë të parë në këtë sezon. 19 gola të shënuar dhe 8 gola të pësuar për të grumbulluar në total 21 pikë. Skuadra ka marrë 6 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Por çfarë fshihet pas kësaj ecurie pozitive te kampionët e Shqipërisë?

Le ta nisim me atë që ndodh në fushën e lojës. Ekipi i Shehit është shfaqur solid dhe ka një filozofi të qartë për të goditur kundërshtarin. Bekaj është duke kaluar një formë pozitive, mbrojtja ka nisur të marrë formën e duhur dhe mesfusha ka një miks mes teknikës së Kallakut, forcës së Deliut dhe eksperiencës së Aleksit. Përpara, treshja e sulmit po alternohet për të gjetur golat. Pavarësisht se Xhixha nuk po e gjen rrugën e rrjetës, sinjalet pozitive kanë ardhur nga Patrik dhe Hasani. Vazhdimësia është një aspekt i rëndësishëm në këtë pikë të sezonit. Humbja me Erzenin është arkivuar si një incident, por ekipi u ringrit dhe gjeti forcë.

Por Tirana ka fituar stabilitet edhe jashtë fushës së lojës. Kjo gjithashtu është e rëndësishme. Retë e zeza që qarkullonin shpesh mbi klubin më të titulluar të Shqipërisë janë larguar. Tani ambienti është më i mirë për të punuar, u la pas krahëve edhe ai moment kur Shehi u lëkund për të shkuar te Shkëndija e Tetovës. Tirana po rritet në lojë, por po rritet edhe në aspektin e marketingut dhe shitjes së futbollistëve. Rruga është e duhura edhe në këtë sezon, por tani pyetja është se sa do ta mbajë dot vendin e parë. Thonë se më e vështirë është ta ruash atë pozicion sesa ta marrësh. / Oversport.tv

You may also like