SOFJE – Cameron i bën thirrje Kongresit të vendoset në anën e lirisë

by admin
Spread the love

SOFJE, 14 shkurt /ATSH-AFP/ – Kreu i diplomacisë britanike, David Cameron, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Bullgari, i kërkoi sot Kongresit amerikan që të votojë për ndihmën thelbësore për Ukrainën, aktualisht të bllokuar nga opozita republikane.

”Ne u kërkojmë atyre të bëjnë atë që është e nevojshme për të ndaluar agresionin rus, të vendosen në anën e lirisë, të mbështesin një vend që mbron kufijtë e tij”, deklaroi ministri pas bisedimeve në Sofje me kryeministrin bullgar, Nikolai Denkov.

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara refuzoi të martën çdo votim për projektligjin e fundit të ndihmës për Ukrainën, duke injoruar kështu thirrjen e Joe Biden, i cili u kishte kërkuar kundërshtarëve të tij që të “zgjidhnin Amerikën” kundër Rusisë së Vladimir Putinit.

Refuzimi republikan ndikon në financimin prej 60 miliardë dollarësh për Kievin, megjithëse u miratua të martën nga Senati, dhoma e lartë e Kongresit, e cila ka një shumicë demokrate.

Rifillimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën, i ndërprerë që nga fundi i dhjetorit, varet nga ky tekst i negociuar në Kongres.

”Ky votim është absolutisht vendimtar për sigurinë amerikane”, këmbënguli David Cameron.

”Sytë e gjithë botës janë në atë që po ndodh në Kongres”, shtoi ai.

“Mësimet e historisë janë të qarta. Nëse lejojmë një diktator si Putin të marrë përsipër një pjesë të një vendi, ai nuk do të ndalet me kaq. Ai do të sulmojë përsëri për të marrë më shumë”, theksoi ai.

Mbështetja për Ukrainën është në qendër të vizitës së ministrit britanik në Bullgari, një prodhues i madh i municioneve.

Më pas ai do të udhëtojë në Poloni dhe më pas në Konferencën Vjetore të Sigurisë në Mynih, e cila mbledh çdo vit elitën e mbrojtjes nga e gjithë bota.

Cameron këmbënguli gjithashtu në luftën kundër migracionit të paligjshëm, duke premtuar financime për të trajnuar agjentët bullgarë dhe për të siguruar pajisje vëzhgimi.

E vendosur në rrugën ballkanike, Bullgaria ndan kufirin më të gjatë të jashtëm të BE-së me Turqinë, me 269 kilometra.

Sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria britanike, vendi ballkanik është bërë “rruga kryesore e tranzitit për pajisjet e rrezikshme” (në veçanti pjesë këmbimi) “të përdorura për të lehtësuar kalimet e La Manshit me varka të vogla”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like