S’kemi pena vëlla | Shqip

by admin
Spread the love
Altin Braka

“S’kemi pena” është shqetësimi që ngrenë shumë besimtarë kur kërkohet një artikulim publik për problematika që prekin bashkësinë, siç është kriza aktuale e përfaqësisë në KMSH. Kjo më se normale, pasi i kemi thyer vetë. Penat janë ndjerë të braktisura nga bashkësia, të paragjykuara, madje edhe të linçuara kur kanë provuar të kritikojnë ndonjë sjellje. Mandej janë distancuar dhe kanë vazhduar ta lëvrojnë me sukses penën gjetiu.
Penat nuk presin afirmim as status prej bashkësisë. Kur një penë shkruan libër, ka lexuar një bibliotekë, ka shpenzuar vite e vite studime. Se penat nuk bëjnë plagjaturë. E ne, si e kemi vlerësuar, përvetësuar e promovuar punën e tyre? Jetojmë në një kohë ku shumë shkruajnë dhe ndoshta kemi humbur kthjelltësinë për të dalluar kush janë penat.
Kur penat na ftojnë të reflektojmë thellë, me seriozitet dhe urtësi, përtej skemave të ngurta e të vjetruara, duke e shoshitur dhe vendosur në pasqyrë angazhimin tonë, duket sikur ne kemi frikë ta shohim atë, ndaj as nuk refuzojmë dhe as nuk pranojmë tezat e tyre. Edhe kur i ftojmë të na mbajnë leksione, nuk është se kemi pritshmëri për këshilla a konkluzione të qenësishme për rrugëtimin tonë. Rëndom takimet me ta kalojnë si aktivitet i rradhës.
Nëse themi që penat i kemi linçuar, nuk është ekzagjerim. Kur kanë mbajtur qëndrim ndaj ndonjë veprimi të diskutueshëm a të kritikueshëm, apo thjeshtë kanë sugjeruar alternativa, çështja shpejt ka rrëshqitur në etiketime, anatema e fletërrufe, duke gjykuar edhe vetë diskutimin si të dëmshëm, e për pasojë kemi përfunduar të rrethuar me njerëz të njëtrajtëshëm me veten.
Nëse kthehemi të shohim tek e sotshmja, raporti ynë me penat mbetet problematik. Nis i tillë që në momentin kur formulojmë kërkesën: “na duhen pena”. A thua sikur po kontraktojmë ndonjë inxhinier, apo profesionist tjetër, të mbarojë ndonjë projekt. Apo sikur të ishin poetë, që duhen në istikam t’i bien Tjetrit. Ndoshta pikërisht tek kjo e fundit qendron edhe thelbi i keqkuptimit pasi bëjmë analogji të gabuar duke shkëmbyer Mekën për Medine. E thënë ndryshe: nëse penat i duam në ball që të konfrontohen me mendimin e Tjetrit, a nuk janë ata që përmbushin më së miri urdhrin Kuranor të përballjes madhore mekase me argumenta?
Evidentimi i kësaj nyjeje në konceptimin e penave nuk synon përqalljen, por se ngërthen një element esencial, i cili konsiston në faktin se raporti ynë me penat është njësia matëse që tregon shëndetin e marrëdhënieve tona me shoqërinë. E nëse kemi raportin e mësipërm me penat, se pse janë “tanët”, si mund të pretendojmë të kemi marrëdheniet e duhura me shoqërinë, që ka botkuptim tjetër, në mos tëkundërt me tonin? Konkluzioni i mësipërm arrihet lehtë dhe është i pakontestueshëm, për sa kohë ne praktikisht dëshmojmë se ata e njohin më mirë gjuhën e elitës, kur iu kërkojmë që të dialogojnë dhe ballafaqohen me të publikisht. Ndaj, nëse përpiqemi të rrokim gjuhën e penave tona, t’i shohim si të barabartë në bartjen e misionit, të hyjmë në komunikim të ndershëm dhe intensiv me ta, me siguri nga ai moment do nisim të kuptojmë dhe të flasim edhe gjuhën e shoqërisë që na rrethon.

Nga: Altin Braka

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

 

You may also like