S’ka marrëveshje pa trajtimin e çështjes shqiptare në Luginë

by admin
Spread the love

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, deklaroi sot se pa trajtimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës nuk do të mund të ketë marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai, për televizionin publik, ka thënë se vizitën e përbashkët të Mirsolav Lajçak-ut dhe Gabriel Escobar-it në Kosovë e sheh si presion për përcaktimin e agjendës së dialogut.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës, që në vitin 2006, në platformën e përbashkët politike, në njërën nga pikat e saj theksojnë se duan që të kenë reciprocitet në kuptimin e të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë. Por këtë sot e shoh të pamundshme për t’u arritur për disa arsye”, tha ai.

Sipas tij, vizitën e Lajçak-ut dhe Escobar-it si një presion të shtuar të përcaktimit të një agjende, përkatësisht temave që duhet të trajtohen në të ardhmen. Por, nuk e shoh që mund të arrihet kaq shpejt ndonjë zgjidhje për asociacionin sepse në Serbi ka zgjedhje më 3 prill dhe në rast se ka vazhdim në këtë temë kjo nënkupton që ose duhet t’i sigurohet Vuçiqit që të arrijë një sukses të caktuar e që ta promovojë si një arritje të madhe në Serbi, e që nuk besoj se institucionet e Kosovës janë në gjendje që kaq shpejtë ta krijojnë Asociacionin dhe tjetra që është shumë e rëndësishme që nuk mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa e trajtuar edhe çështjen e Luginës së Preshevës”, ka theksuar Mustafi.

Sipas tij çështja e shqiptarëve të Luginës është e patejkalueshme pasi pozita e tyre është peng i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se nëse shihet niveli i të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë është i pakrahasueshme me atë se çfarë gëzojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

You may also like