Sindikata e Policisë i kërkon Qeverisë të kthejë shtesat sikur para ligjit për Paga

by admin
Spread the love

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka mbajtur sot takim, me qëllim të analizimit të ankesave dhe kërkesave të pjesëtarëve të PK-së, duke filluar nga zyrtarët policorë dhe njësitë e stafit civil që punojnë në kuadër të PK-së.

Në këtë takim u shfaqën pakënaqësitë dhe ankesat e parashtruara para KD, siç ishin: zvogëlimi i pagës neto në disa sektor dhe  nivele të ndryshme në kuadër të PK-së, mospagesa e shtesës së rrezikshmërisë për Zyrtarët Policorë, mospagesa e shtesave për kushte të veçanta dhe specifike të punës për disa kategori të Stafit Civil (punonjësit në PK), pakënaqësitë në kategorizimin e disa profesioneve të Stafit Civil dhe mbështetës, si dhe mospërfillja e listës së dërguar nga komisioni i menaxhmentit policor për kategorizimin e profesioneve të ndryshme në PK.

Pas dëgjimit të këtyre pakënaqësive dhe analizimit, Këshilli Drejtues kërkoi nga Qeveria që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit mars dhe në asnjë rast të mos ketë zbritje gjatë kategorizimit nga ajo që ka qenë deri më tani, gjegjësisht para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave dhe në mënyrë retroaktive të kompensohet edhe shtesa e muajit shkurt.

“Kërkojmë nga Qeveria që të realizoj shtesat për stafin civil në PK, ashtu siç i kanë realizuar deri më tani para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe gjithashtu të ketë shtesa për punë specifike dhe për kushte të veçanta të punës. Kërkojmë nga Qeveria që stafin civil ta kategorizojë sipas listës së dërguar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, kërkesë e veçantë është që një përfaqësues i sindikatës të merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit në komisionin për caktimin e rrezikshmërisë dhe shtesave të veçanta për kushtet specifike të punës”, thuhet në kërkesat e parashtruara.

“Duke u bazuar në konkluzionet e sipërpërmendura kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që më së largu deri në fund të javës së ardhshme të marrim përgjigje në kërkesat tona në të kundërtën jemi të obliguar që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe hapat e tjera sindikal të parapara me ligj”, përfundon komunikata.

 

 

 

 

 

 

You may also like