Silhavy tregon frikën për Shqipërinë – Shqip

by admin
Spread the love

Trajneri i Çekisë deklaroi se nëse skuadra nuk luan si ekip, atëherë “kuqezinjtë do t’i hanë”

Trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavi e di se në Tiranë, për kombëtaren e tij ka për të qenë një sprovë e vërtetë. Tekniku 61-vjeçar ua ka bërë të qartë futbollistëve se nëse ata nuk besojnë tek aftësitë e tyre, atëherë në “Air Albania” fitorja është e pamundur. Në një intervistë për median çeke Sport.CZ, Silhavi ka folur për sfidën kyçe kundër kuqezinjve dhe atmosferën në ekip.

“Kanë mbetur edhe pak ditë nga ndeshja, është normale, të jemi nervozë, por e dimë se sa e rëndësishme do të jetë ndeshja. E dimë që do të ketë një atmosferë elektrizuese, ka pasur një interesim të madh për ndeshjen në Shqipëri, njerëzit atje janë emocionalë. Por djemtë tanë luajnë në Evropën Perëndimore, ku shkojnë për ti parë 50 mijë njerëz, pra janë mësuar. Duhet t’i bëjmë ballë kësaj, edhe pse nuk e mohoj që ambienti vendas do të jetë avantazh për kundërshtarin.”

Tekniku çek shtoi se nuk ka nevojë për grupin që të motivohet.

“Të gjithë lojtarët e dinë se çfarë është në lojë dhe çfarë i pret. Ne duhet t’i bindim ata që janë më të mirët, më të fortët, se synimi është të kenë sukses. Kjo është tmerrësisht e rëndësishme. Nëse nuk i besojmë njëri-tjetrit, do të na hanë në Shqipëri. Mund të kemi sukses vetëm si ekip”.

Silhavi mendon se kombëtares nuk i lejohen më që të bëjë gabimet e kryera në sfidën e parë në Pragë.

Klan News

You may also like