Shqipëria i shkon shumë pranë surprizës, Olmo në fund i jep fitoren Spanjës

by admin
Spread the love

Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë kundër Spanjës pavarësisht faktit se u mposht me rezultatin e ngushtë 2-1. Të besuarit e Edi Rejës u ndëshkuan fillimisht në minutën e 75-të, por Uzuni baraspeshoi gjithçka. Megjithatë, rezultati u vulos nga një supergol i Dani Olmos në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Ashtu si pritej Spanja e nisi lojën në sulm dhe pati kontrollin e ndeshjes pothuajse gjatë 90 minutave. Iberikët rrezikuan që në minutat e para me anë të Ferran Torres, por goditja e tij nga e majta u prit nga gardiani i portës kuqezi, Etrit Berisha.

Pak minuta më vonë, Shqipëria do të kërkonte dhe një 11-metërsh për një ndërhyrje të gabuar në dëm të Cikalleshit, por për gjyqtarin ishte gjithçka e rregullt.

Ndërkohë që në fundin e pjesës së parë, një shpërthim i Brojës nga krahu i djathë pa sulmuesin në brendësi të zonës spanjolle. Sulmuesi kërkoi një krosim për Cikalleshin që për pak centimetra mund të kishte shënuar golin që do t’i jepte avantazhin Shqipërisë.

Në pjesën e dytë, Spanja e nisi sërish në sulm ku pati dy raste të mira me Rodrin i cili goditi nga distanca, por në rastin e parë goditja ishte qëndrore dhe u ndal nga Berisha, ndërsa në të dytën topi shkoi jashtë kuadratit i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtësave shqiptarë.

Në minutën e 75-të Spanja do të gjente edhe golin e avantazhit me anë të Ferran Torres. Bare humbi topin në një zonë të rrezikshme, ndërsa Yeremi Pino me një pasë të bukur vendosi Torres përballë Berishës. Ky i fundit nuk fali duke e çuar topin në fundin e rrjetës.

Megjithatë, Shqipëria surprizoi Spanjën 10 minuta më vonë me Myrto Uzunin. Portieri i Spanjës nuk u kuptua me mbrojtësin i cili e goditi topin me kokë në trupin e Uzunit. Devijimi nga ana tjetër shkoi drejt portës së Spanjës për t’u ndalur më pas në fundin e rrjetës.

Megjithatë, Spanja nuk u dorëzua dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt Dani Olmo ndëshkoi sërish kombëtaren tonë me një supergol në kufijtë e zonës. Sulmuesi spanjoll gjeti trekëndëshin e rrjetës duke i dhënë kështu edhe fitoren kombëtares së tij. /oversport.tv

MIQËSORE
Spanjë-Shqipëri 2-1
Shënues:
Torres 75’, Olmo 90’ / Uzuni 85’

 

You may also like