SHKUP – Talat Xhaferi zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në MV

by admin
Spread the love

SHKUP, 28 janar /ATSH-MIA/ –  Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka nisur seancën e 141-të me të vetmen pikë të rendit të ditës zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Parlamenti votoi me 65 vota “pro” dhe tre “kundër” e votoi qeverinë teknike të kryesuar nga Talat Xhaferi.

Në seancë ishin të pranishëm 111 deputetë. Deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë abstenuar votimin për qeverinë teknike. Detyra kryesore e qeverisë kalimtare është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike.

Talat Xhaferi, mandatar i kësaj qeverie kalimtare, e cila formohet njëqind ditë para zgjedhjeve për deputetë të 8 majit, ka dorëzuar dje programin dhe përbërjen e propozuar të qeverisë së re.

Detyra kryesore e qeverisë kalimtare është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike. Kuvendi e zgjedh qeverinë me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në propozimin e përbërjee së qeverisë tranzitore: zëvendëskryeministër i parë i qeverisë do të jetë Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi do të jetë ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Komuniteteve.

Me propozim të VMRO-DPMNE-së, për pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme është propozuar Pançe Toshkovski, ndërsa Gjoko Vellkovski do të jetë ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

Në vendet e deritanishme mbeten Krenar Loga, ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë, Lupço Nikollovski ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonmisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri ministër i Arsimit, Risto Penov ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska ministre e Kulturës, Azir Aliu ministër i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova ministre e Mjedisit, Fatmir Bytyqi ministër pa portofol i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Gërkovska, ministre pa portofol përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë.

Pritet që pas votimit të qeverisë teknike nesër në Kuvend të mbahet një seancë tjetër, në të cilën do të votohet për zëvendësministrat plotësues, si dhe të verifikohet mandati i një deputeti që do të zëvendësojë Talat Xhaferin, të cilit i është besuar mandati për të formuar Qeveri teknike.

LSDM-ja e ka propozuar Mitko Bojmacaliev të jetë kandidat për zëvendësministër plotësues të Punëve të Brendshme, ndërsa ministrja e deritanishme Jovanka Trençevska do të jetë zëvendësministre plotësuese për Punë dhe Politikë Sociale.

VMRO-DPMNE propozoi Elena Petrovën për zëvendësministre plotësuese të Financave, Stefan Andonovskin të Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Cvetan Tripunovskin për Bujqësi Pylltari dhe Ekonomisë të Ujërave.

Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për më 8 maj dhe do të funksionojë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen dy javë më parë.

Kjo është qeveria e tretë kalimtare ose teknike nga viti 2016 e këtej. Kryeministër i Qeverisë teknike në vitin 2016 ka qenë Emil Dimitriev, ndërsa në vitin 2020 ka qenë Oliver Spasovski. /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like