Shkëmbi: Na duhen pikë, në këto momente heq dorë nga loja e bukur për fitoren

by admin
Spread the love

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi ka folur për Oversport pas barazimit pa gola përballë Vllaznisë.

“Na vjen keq, sepse edhe sot bëmë një lojë të mirë. Sidomos në pjesën e parë ku kishim edhe rastet tona. Jemi në rritje, ekipi ishte në ekuilibër. Por mungon goli dhe mungojnë pikët. Kur vijnë këto je edhe më i lirshëm dhe luan më mirë. Mungesa e eksperiencës në fund ndikoi pak në rezultat. Mendoj që në pjesën e parë luajtëm mirë dhe dy sulmuesit dhanë maksimumin. Në pjesën e dytë ndoshta ndikoi lodhja.

Skema? Dëshira ime është që të luaj gjithmonë me dy sulmues, por varet nga lojtarët që kemi të gatshëm. Kemi probleme me mungesat, kemi lojtarë që nuk janë në formën optimale, edhe pse luajnë. Na duhen pikë, që le të vijnë edhe po luajtëm keq. Pikët janë ato që të sjellin qetësi dhe entuziazëm. Pavarësisht se unë jam i kënaqur për mënyrën si sillen dhe stërviten lojtarët.

Si zgjidhet ngërçi? Në pjesën e parë luajtëm mirë, në të dytën vuajtëm pak gjendjen fizike. Por nuk duhet të harrojmë që luajtëm kundër Vllaznisë, një skuadër cilësore që pretendon titullin. Sulmuesit po bëjnë terapi fizike te porta dhe terapi psikologjike. Rastet po i krijojmë, por nuk po finalizojmë dot.

A është kjo skuadra juaj pas një muaji në krye të Teutës? Kjo skuadër ka lojtarë të mirë dhe me eksperiencë dhe të rinj me të ardhme. Mendoj që edhe para meje është punuar shumë mirë. Unë dua që të kemi qarkullimin e topit. Dëshira me mundësitë kanë ndryshim. Heq dorë nga gjithçka vetëm që të shënojmë gol dhe të marrim pikët”, ka thënë Shkëmbi. / Oversport.tv

You may also like