Shënon më shumë se Leao, zvicerani hakmerret ndaj kritikës. Gol çdo 103′, Okafor: Milani nuk dorëzohet

by admin
Spread the love

Tre gola duke e nisur ndeshjen si rezervë, nga katër në total, që ka shënuar në këtë Serie A. Shifra ndoshta jo fort ideale për një sulmues si Noah Okafor, por ato bëhen pozitive kur kujtojmë se ka luajtur vetëm 14 herë për një total prej 413 minutash. Aq më tepër, që në kampionat ka shënuar më shumë edhe se Rafael Leao.

Zvicerani ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit duke analizuar momentin personal dhe atë ekipor pas suksesit, të firmosur prej tij në minutat e kohës shtesë, kundër Udinezes.

Si ndiheni pasi keni lënë pas edhe një tjetër dëmtim?

Nuk ka qenë e lehtë, por jam mirë. Duhet të jem optimist dhe dëmtimet i marr si pjesë e futbollit. Sidoqoftë, jam i lumtur që jam rikthyer e për më tepër, për golin. Kishte shumë rëndësi që të bënim më mirë ndaj tyre sesa në fazën e parë kur na mundën.

Çfarë ju tha Menja për thirrjet raciste?

Nuk ka vend për këto gjëra në futboll, nuk kanë lidhje me të e me askënd. Të gjithë jemi njësoj, këto janë gjëra që dhembin. Majk më pas ishte i përqendruar te ndeshja, por këto na lëndojnë të gjithëve. Duhen marrë masa nga autoritetet përkatëse për këto turpe, të mos përsëriten më.

Ndërkohë shënuat një gol që vlejti tri pikë?

Jam shumë i lumtur. Jam kthyer dhe jam mirë, jam i lumtur sepse vlen tri pikë pavarësisht se për ne, sulmuesit është gjithmonë kënaqësi kur shënojmë.

Sa i rëndësishëm ndiheni për ekipin?

Çdo ndeshje dhe çdo gol ka rëndësi. Unë jap gjithçka për ekipin. Jam i lumtur sigurisht, megjithatë jam më i interesuar të ndihmoj skuadrën me çdo mënyrë të mundshme.

Besoni te titulli?

Kemi cilësi të shkëlqyera dhe trajneri punon shumë me ne. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshje dhe të përmirësohemi pa e parë renditjen.

Cili është hapi i radhës?

Duhet të qëndrojmë të fokusuar nga fillimi në fund, duhet të qëndrojmë të qetë dhe të përfitojmë nga mundësitë. Mendoj se jemi gati, le të shohim se çfarë do të ndodhë në fund të sezonit.

PANORAMASPORT.AL

You may also like