Shefja e Zyrës së OBSH-së në Shkup Ane Johansen e vizitoi Universitetin e Tetovës

by admin
Spread the love

Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ane Johansen e vizitoi Universitetin e Tetovës.

“Gjatë qëndrimit të saj në Universitetin tonë, ajo fillimisht realizoi një takim të përbashkët me rektorin, prof. dr. Kushtrim Ahmeti, Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekanin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. Dr. Vegim Zhaku dhe bashkëpunëtorë të tjerë”, bëhet e ditur në kumtesën e UT-së.

Rektori, prof. dr. Kushtrim Ahmeti, fillimisht, zonjën Ane Johansen e informoi me veprimtarinë e Universitetit të Tetovës në përgjithësi, si dhe aktivitetet që i realizon Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë.

“Universiteti i Tetovës është një ndër tre universitetet e vendit që e ka Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, i cili e ka numrin më të madh të studentëve nga vendi dhe rajoni. Ne jemi të interesuar që bashkë me Ju t’i shqyrtojmë mundësitë e bashkëpunimit, respektivisht të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë dhe Zyrës së OBSH-së në Shkup, me të cilën ju kryesoni. Deri më tani studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë bashkë me profesorët e tyre i kanë shënuar të gjitha datat e rëndësishme të cilat i shënon OBSH-ja, me qëllim të informimit dhe sensibilizimit të popullatës për t’i kushtuar rëndësi të veçantë shëndetit”, theksoi rektori Ahmeti.

Shefja e zyrës së OBSH-së në Shkup, Anne Johansen shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me studentët dhe stafin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.

“Është shumë e rëndësishme që studentëve t’u jepet mundësia për t’i dërguar në trajnime të ndryshme, me qëllim të përfitimit të njohurive dhe përvojave të reja nga fusha e mjekësisë. Me kënaqësi në të ardhmen, bashkë me stafin akademik dhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të shënojmë së bashku të gjitha datat e rëndësishme që OBSH-ja i shënon në të gjithë botën”, u shpreh Johansen.

Pas takimit me drejtuesit e Universitetit të Tetovës, zonja Ane Johansen zhvilloi një ligjëratë tematike para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.

You may also like