Shefi i zbulimit ushtarak amerikan: Putin nuk mund ta arrijë objektivin në Ukrainë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Problemet me të cilat po përballet së fundmi Rusia në Ukrainë, tregojnë se në këtë pikë që kanë mbërritur gjërat, forcat e saj janë të paaftë për të arritur qëllimin fillestar të presidentit Vladimir Putin për pushtimin e vendit, tha të premten shefi i zbulimit të Pentagonit.

“Po mbërrijmë në një pikë kur zoti Putin do të duhet të rishikojë objektivat e tij lidhur me operacionin në (Ukrainë)”, tha gjeneral-lejtnant Scott Berrier, shef i zbulimit ushtarak amerikan gjatë një konferencë mbi çështje të zbulimit e sigurisë kombëtare shumë pranë Uashingtonit. “Aktualisht është mjaft e qartë se ai (Putini) nuk do të jetë në gjendje të realizojë atë që synoi në fillimet e operacionit”, shtoi ai.

Presidenti Putin sulmoi Ukrainën më 24 shkurt me synimin sipas zyrtarëve amerikanë për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi. Që në fillim të luftës forcat ukrainase arritën ta ndalin një pushtim të Kievit.

Rusia pësoi një tjetër goditje të madhe javën e kaluar, falë një kundërofensivë ukrainase që i detyroi trupat e saj të tërhiqen nga pjesa më e madhe e verilindjes së vendit.

“Rusët planifikuan një pushtim, por janë detyruar të zmbrapsen”, tha zoti Berrier, duke përmendur gjithashtu dhe hezitimin e zotit Putin për të mobilizuar plotësisht forcat ruse në luftë.

Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të administratës janë kujdesur që të mos e quajnë tërheqjen e fundit të Rusisë fitore të Ukrainës ose pikë kthese në luftë. Analistët paralajmërojnë se është e pamundur të parashikohet se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.

You may also like