Sheb-i arus/vdekja si lindje e përtejme

by admin
Spread the love
Metin Izeti

Mevlana i qaset vdekjes shumë ndryshe nga njerëzit e tjerë. Për njeriun e thjeshtë vdekja është një ngjarje e tmerrshme. Ndërsa, sipas tij, vdekja nuk është diçka për t’u frikësuar, por takimi me Zotin, të vërtetën e përjetshme dhe arritjen e jetës së përtejme. Për këtë arsye, Mevlana e përshkroi vdekjen si sheb-i arus, domethënë çasti i takimit me të Dashurin. Ashtu si tek metafora e “nej”it, në dyvargëshet e para të Mesnevi’së, ku njeriu në këtë botë përshkruhet si me qenë në gurbet, ndërsa vdekja e kthen në atdheun e tij origjinal dhe tek i Dashuri i tij.

Shkruan: Metin Izeti

Duke jetuar një jetë të lirë dhe të lumtur para se të lindnim, shpirti ynë erdhi në këtë botë dhe u bë rob i trupit. Si rrjedhojë, shpirti mund të rifitojë lumturinë e mëparshme duke lënë trupin. Mevlana mendimet e tij në lidhje me këtë i shprehi në vargjet si vijon:
“ Pasi ta merr shpirtin, vdekja është si sheqeri; Të vdesësh pasi që të jem me Ty është më e ëmbël se jeta, shumë e ëmbël për mua…
Dhënia e jetës është me shpirt, arritje tek shpirti; Pse duhet të ik nga miniera? Vdekja është një minierë ari…
Kur Zoti të thërret dhe të merr në anën e Tij, të shkosh është si xhenet; ndërsa të vdesësh është si kevser.
Vdekja është një pasqyrë, bukuria yte godet atje, shfaqet atje.
Nëse ke besim, nëse je i ëmbël, vdekja është siguri, kënaqësi; Nëse je mosbesimtar, nëse je i hidhëruar, edhe vdekja është e dhimbshme, është e keqe për ty.
Nëse je Jusufi, nëse je i bukur, edhe pasqyra jote është e bukur; Nëse je i shëmtuar, vdekja do të të tregojë shëmtinë!”
Shpirti i njeriut, i cili është i burgosur në burgun e botës dhe në pusin e natyrës, dhe është rob i gjoksit, përnjëherë, me vdekjen, shpëtohet nga hiri i Allahut dhe arrin zanafillën e tij. Edhe në kohë normale, nëse e lëshojnë dikë nga burgu dhe e gëzojnë atë, kjo ngjarje padyshim që do të shkaktojë një mijë lëvdata dhe gëzime. Pra, vdekja e miqve të vërtetë të Allahut është e tillë.
Ndarja e trupit dhe shpirtit e përbën bazën e idesë së Mevlanës për vdekjen. Ai nëpërmjet të shumë aluzioneve, metaforave, figurave letrare na këshillon t’i japim kuptim gjithë jetës përmes këtij pranimi, duke thënë se trupi dhe lënda janë të përkohshëm dhe se pjesa që do t’i kthejmë Zotit është shpirti ynë që vjen prej Tij. Sipas tij, është e domosdoshme që të tregojmë të njëjtin kujdes që tregojmë për të ushqyer trupin, madje edhe më tepër, për të ushqyer shpirtin. Mevlana trupin e përngjason si një kafaz për shpirtin, një kurth, një shtëpi të ngushtë, një burg, një këpucë e ngushtë; një fustan lëkure që është qepur për shpirtin, por në vend që të ledhatoni pëlhurën e këtij fustani, duhet të kërkoni atë që e vesh atë. Kujdesi nuk duhet të jetë në grumbullin e rrobave, por te pronari i tyre. Trupi, i cili është krijuar nga dheu dhe rritet në të, është këtu në vendlindjen e tij, ndërsa shpirti është i huaj, prandaj, është e nevojshme të ndihmohet ky i huaj i varfër, për t’u kthyer në vatanin e vet.
Mevlana vëren një ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm në ekzistencë dhe në qenien njerëzore. Sipas tij, element i këtij ndryshimi është edhe vdekja. Në fakt, kuptimi i vdekjes nga Mevlana është pjesë përbërëse e pikëpamjeve të tij për Zotin, universin dhe njeriun. Kuptimi i jetës në sistemin e ciklit që shtrihet nga Zoti te qeniet është i lidhur me pavdekësinë e shpirtit. Kjo varet nga vlerësimi i vdekjes si një mënyrë ribashkimi me Zotin. Vdekja, pra, është një portë për në përjetësi ose një portë për të arritur pavdekësinë.
Një ditë, Mevlana e pyeti djalin e tij Sulltan Veledin: “Bahauddin, kur të pyesin, cila është rruga e Mevlanës që arrinë deri tek ti? Thuaju “të mos hanë e të mos pinë shumë”. Pastaj tha, jo, jo, thuaju është të vdesësh.
Përsëri, një ditë, një person erdhi pranë Mevlanës dhe i tha: “Të gjithë pejgamberët dhe robërit e veçantë të Allahut kishin frikë nga madhështia dhe sikleti i vdekjes”. Mevlana u përgjigj: “Assesi, kjo nuk është kështu, a e dinë njerëzit çfarë është vdekja? Vdekja për njerëzit e Allahut është mundësia për të shikuar Allahun, a do të iknin, vallë, ata, që mos ta shohin Atë?”
Vdekja nuk është gjë e keqe. Është shpëtimi i njeriut nga hallet e botës. Frika nga vdekja nuk është frikë nga vdekja, por frikë nga ligësia që njeriu ka bërë në këtë botë. Ai e shpreh këtë mendim si vijon: “Ajo që shihni në vdekjen, nuk është fytyra e vdekjes, ajo është fytyra juaj e shëmtuar”. Cila farë u mboll në tokë dhe nuk mbiu? Pyet Mevlana dhe thotë, atëherë pse dyshoni në farën e njeriut? Mevlana e përshkruan varrin si vendin e shpëtimit për shpirtin, vdekjen si përgatitjen e diellit që perëndon për të rilindur dhe tërheq një vizë të ngjashmërisë midis vdekjes dhe gjumit.
Mevlana e ndan vdekjen në dy lloje, si vdekje vullnetare dhe natyrore. Vdekje vullnetare do të thotë vdekje e formuluar me parimin “vdis para vdekjes” në tesavvuf, pra, është vdekja e vullnetshme dhe e vetëdijshme që realizohet duke e çliruar njeriun nga robëria e egos. Njerëz që nuk mund të arrinin virtytin e vdekjes para se të vdekjes, dhe kështu mbeten të lidhur me botën, sipas Rumiut, janë larg jetës reale, sytë i kanë të mbyllur dhe veshët e shurdhër. Ata mendojnë se janë të gjallë, por ata kanë vdekur, pasi, zemrat e tyre kanë vdekur. Sepse mosnjohja e Allahut e bën njeriun e gjallë, të vdekur.
“…Më lejoni ta krahasoj veten me të vdekurin dhe ta lë veten të bie si kashta në ujë… të vdesësh para vdekjes është shpëtim nga mundimi.
O trim, është siguri, të vdesësh para vdekjes… na tha Mustafa.
Ai tha: Vdisni të gjithë para se t’ju vijë vdekja me sprova…”
Vdekja natyrore, nga ana tjetër sipas Mevlanës, është ndarja e shpirtit nga trupi dhe çlirimi i tij.
Mevlana, e bën një analogji midis vdekjes dhe gjumit, siç e bënte edhe Pejgamberi a.s.:
“Mik! Gjumi është vëllai i vdekjes… shiko këtë vëlla, kuptoje atë vëlla!
Gjumi dhe zgjimi janë dy dëshmitarë të vdekjes dhe ringjalljes.
Ringjallja e vogël e tregon ringjalljen e madhe; Vdekja e vogël ndriçon vdekjen e madhe.”
Mevlana e konsideron vdekjen si kthim të shpirtit, i cili është një substancë hyjnore, në origjinën e tij, pra te Zoti. Kjo pikëpamje del si pasojë e domosdoshme e mësimeve të tesavvufit islam dhe të Mevlanës, ku thuhet se shpirti vjen në botë për një udhëtim të shkurtër dhe do të kthehet në origjinën e tij, pra te Krijuesi i tij, pasi të ketë kryer detyrën në këtë tokë të mërgimit. Ata që përfitojnë nga kjo ekspeditë janë ata që arrijnë bashkimin vullnetar me Zotin dhe zhyten në detin e pavdekësisë. Edhe Mevlana e konsideron këtë ribashkim të shpirtit në boshtin e konceptit “dashuri” dhe e sheh si bashkim të dashnorit dhe të dashurit, me fjalë të tjera, të dashuruarit dhe të Dashurit. Si rrjedhojë, Mevlana ka bërë një qasje të veçantë në lidhje me vdekjen, që konsiderohet e hidhur, e ftohtë, duke e përngjasuar atë me natën e takimit të të dashuruarve/ sheb-i arus. Prandaj, ndonëse vdekja njerëzve u duket sikur perëndim, sipas Mevlanës, ajo do të thotë lindje nga një anë tjetër.
Gazeli i mëposhtëm i Mevlanës për vdekjen e shpreh më konkretisht këtë kocept:
“ Ditën e vdekjes, kur tabutin të ma ngrenë në supe dhe të ecin,mos mendo se kam hallin e kësaj bote, mos mendo se shqetësohem për largimin nga bota, mos bie në këtë lloj dyshimi.
Mos qaj për mua, mos thuaj vaj halli, vaj halli; Po të biesh në çarkun e djallit dhe të kapesh nga urdhri i tij, atëherë je për keqardhje, atëherë vaj halli, vaj halli…
Kur të shikosh kufomën time mos thuaj: “oh ndarja-ndarja!”. Kjo është koha kur takohem (me të Dashurin tim).
E shikove perëndimin, ndiqe tash edhe lindjen; a i sjellë perëndimi ndonjë dëm diellit e hënës?
Ty të duket si perëndim, por është lindje; Varri duket si burg, por është shpëtimi i shpirtit.
Cila farë u mboll në tokë dhe nuk mbiu? Pra, pse dyshoni se fara njerëzore nuk do të mbijë kurrë?
Cila kovë u lëshua në pus, por nuk doli plot; Pse duhet të qajë shpirt Jusufi, brenda në pus?”
Mevlana nuk e sheh vdekjen si funksionin e fundit të jetës. Për të vdekja është jetë, por pikëpamja që errëson të vërtetën e tregon të kundërtën; Siç u përmend më lart, duket si perëndim por është lindje; Duket si burg, por është shpëtimi i shpirtit. Vdekja është vetëm një ndërrim rrobash. Në lidhje me këtë Mevlana thotë: “Kur të shkojmë në atë mbretëri, do të ndërrojmë vetëm rrobat. Sepse puna atje është ndryshe. Për shembull, kur dikush shkon në luftë, ai mban një kostum lufte, një armë dhe një helmetë në kokë. Sepse është kohë lufte. Por kur vjen paqja, ai heq rrobat e luftës dhe bën punët tjera. Por personaliteti i tij është ende i njëjtë, ai nuk ka ndryshuar. Vetëm sepse ti e ke parë me ato rroba, a duhet ta imagjinosh me ato roba sa herë që ta kujtosh?
Mevlana thekson se vdekja na pret rrugës dhe është shumë afër nesh, dhe na këshillon që të bëjmë përgatitjet për jetën e përjetshme dhe të pastrojmë papastërtitë dhe mëkatet që të mos e shohim realitetin e vdekjes dhe të shkojmë në praninë e Mikut duarbosh. Sipas tij, arsyeja e frikës së atyre që i frikësohen vdekjes është se ata kanë frikë të përballen me brendësinë e tyre. Me fjalë të tjera, ata kanë një shqetësim të tillë për shkak të gjurmëve që ligësitë morale lënë në shpirtin e tyre. Në këtë rast, vdekja, sipas Mevlanës, është në pozicionin e një pasqyre që tregon fytyrën e brendshme të njeriut ndaj vetvetes.
Siç shihet, Mevlana problemin e vdekjes e ka trajtuar nga pikëpamja biologjike, fetare, sufike, morale dhe filozofike. Ai është i mendimit se vdekja nuk do të thotë privim dhe përfundim, përkundrazi vdekja është kthim në origjinën e shpirtit dhe në raport me evolucionin shpirtëror është mjet ribashkimi dhe një moment i takimit me të Dashurin, për të dashuruarit. Vdekja është mbyllja e perdes në botë, por sipas Rumiut, në anën tjetër është hapur një vello e re. Ata që janë të suksesshëm këtu do të marrin pjesë edhe në shfaqjen e re në përpjesëtim me veprat e tyre.
Pa dyshim, Mevlana është një person emri i të cilit identifikohet me kuptimin që ai ia atribuon vdekjes. Në rrëfimin e tij, vdekja është bërë mik. Ky është rezultat i natyrshëm i një besimi të fortë në ringjalljen pas vdekjes dhe i dëshirës për t’i hequr perdet nga Zoti i dashur. Mevlana ka përshkruar me kaq sukses ndjenjat dhe mendimet e tij pozitive për vdekjen, sa që përvjetorët e vdekjes së tij të festohen me manifestime, sidomos në Konia, me organizime shkencore e të tjera ku marrin pjesë mysafirë nga e tërë bota, krejtësisht larg trishtimit, por të gëzuar për shkak të takimit.
Melhemi i mrekullueshëm që Mevlana vuri në plagën më të thellë të njerëzimit, vdekjen, ka një formulë që është marrë duke lexuar mes rreshtave të Kuranit. Tabloja e vizatuar me referenca dhe ngjashmëri për vdekjen, pak prej të cilave mund t’i përcjellim këtu, shpreh ndjenjat e një muslimani të sinqertë. Mevlana zbatoi parimin se komenti duhet të ketë të njëjtin qëllim me Kur’anin në temën e vdekjes, si në shumë tema të tjera, dhe me entuziazëm shpjegoi kuptimet e “lajmit të mirë dhe paralajmërimit” që i mori prej Kur’anit.
Metoda e leximit ndërmjet rreshtave dhe e përqendrimit në të njëjtin qëllim, të Kuranit dhe komentit të tij, ka rezultuar që ai të ketë një këndvështrim që nuk krahasohet me të tjerët. Shpirti i gjerë dhe dëshmia sshpirtnore në kuptimin e Kuranit dhe sunetit të Pejgamberit a.s., i ka dhënë sfondin intelektual dhe emocional Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Nëse nuk e kuptojmë këtë fakt, nuk mund të konsiderohet se e kemi kuptuar, dashur dhe lavdëruar siç duhet Mevlanën.

You may also like