SHBA, shkollat ​​islamike dhe hebraike përballen me kërcënime

by admin
Spread the love

Ndërsa lufta mes Izraelit dhe Hamasit vazhdon, në Shtetet e Bashkuara disa organizata islamike, tempuj hebrenj dhe madje edhe shkolla kanë marrë kërcënime.

Korrespondentja e VOA-s njofton për shkaqet e rritjes së tensioneve dhe përpjekjet e këtyre komuniteteve për të parandaluar rrezikun.

Për herë të parë në dy dekada, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, ose CAIR, u detyrua të zhvendoste banketin e tij vjetor në një vend të paidentifikuar, për shkak të kërcënimeve në lidhje me qëndrimin ndaj luftës Izrael-Hamas.

“Hoteli na informoi se po merrte kërcënime të shumta për vendosje bombash në garazh, për sulme të mundshme ndaj tij. Këto kërcënime vinin nga ekstremistët anti-myslimanë dhe anti-palestinezë, të cilët janë të zemëruar për mbështetjen e organizatës sonë për të drejtat e palestinezëve”, tha nëndrejtori Kombëtar i CAIR, Edward Ahmed Mitchell.

Siç njofton Komiteti Hebre Amerikan, disa sinagogave u është dashur gjithashtu të ndërpresin shërbimet për shkak të kërcënimeve me bomba që lidhen me luftën në Lindjen e Mesme.

Samantha Woll, presidente e bordit të Sinagogës ‘Isaac Agree Downtown’, e cila u gjet e vrarë me thikë në shtëpinë e saj në Detroit më 21 tetor, kishte lidhje me këtë organizatë.

Policia nuk ka gjetur prova se bëhej fjalë për krim urrejtjeje, por hetimi po vazhdon dhe udhëheqësit hebrenj kanë rritur masat e sigurisë.

“Njerëzit po përpiqen shumë që të ruajnë informacionet e tyre personale, që ato të mos bëhen publike. Është një moment kur duhet të jemi vërtet të kujdesshëm dhe të vëmendshëm”, thotë Melanie Maron Pell nga Komiteti Amerikan Hebre.

Frika po përfshin gjithashtu disa objekte arsimore myslimane, i tha Zërit të Amerikës Lidhja Kombëtare e Shkollave Islame të Amerikës.

“Të premten një shkollë islame në zonën e Çikagos, mori kërcënime të detajuara kundër komunitetit të saj dhe vendosi që ta ofrojë mësimin në distancë. Në përpjekje për të krijuar hapësira të sigurta për nxënësit, mësuesit në klasat më të larta po flasin me nxënësit për ndjesitë e tyre”, tha Drejtoresha Ekzekutive e Lidhjes së Shkollës Islame të Amerikës, Shaza Khan.

Shkollat hebraike po kërkojnë në mënyrë aktive më shumë fonde për të forcuar masat e tyre të sigurisë.

“Disa prej veprimeve që po ndërmarrin institucionet është vendosja e xhamave të papërshkueshëm nga thyerja dhe masa të tjera sigurie. Ne gjithashtu ju bëjmë thirrje udhëqësve fetar dhe politik në të gjithë botën që të dënojnë antisemitizmin, të dënojnë islamofobinë, të dënojnë dhunën dhe fjalimin e motivuar nga urrejtja dhe jo ta inkurajojnë atë”, thotë Dan Mitzner nga “Koalicioni Mësoni”, projekt i Unionit Ortodoks hebre.

Përveç luftës Izrael-Hamas, të intervistuarit i thanë Zërit të Amerikës se ankthi në komunitetin hebre po shtohet edhe për shkak të afrimit të një përvjetori të dhimbshëm:

E premtja shënon pesë vjet nga sulmi terrorist antisemitik në sinagogën “Tree of Life” në Pitsburg të Pensilvanisë. Autori i krimit është dënuar me vdekje. Zoti Mitzner thotë se autoritetet po punojnë shumë për të siguruar që komunitetet të mbeten të sigurta./ voa


Top Channel

You may also like