SHBA ndalon zyrtarisht importin e naftës dhe gazit rus: Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Putin

by admin
Spread the love

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi zyrtarisht se do të ndalohen importet e naftës ruse si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë. Biden shtoi se ndalimi i importeve do të përfshijë gjithashtu atë të gazit dhe të energjisë nga Rusia.

Kjo do të jetë një goditje tjetër për ekonominë ruse, e cila tashmë është goditur nga një sërë sanksionesh nga Perëndimi.

Biden tha se SHBA-ja e mori këtë vendim pas një konsultimi me aleatët e saj. Ai shton se e disa nga aleatët europianë nuk do të arrijnë të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të varësisë së tyre nga nafta ruse.

Gjatë fjalës së tij, presidenti theksoi se SHBA ka zbatuar sanksionet më të rëndësishme në histori ndaj Rusisë dhe ka dëmtuar aftësinë e vendit për të bërë biznes duke dëmtuar ekonominë e saj.

Megjithatë, Biden ka paralajmëruar se kjo masë do të prekë amerikanët me çmimin e gazit që pritet të rritet.

“Unë do të bëj gjithçka që mundem për të minimizuar rritjen e çmimit”, tha Biden.

Pavarësisht frikës për rritje të çmimit të naftës në vend, vendimi i Biden ka mbështetje të madhe nga i gjithë spektri politik amerikan.

Një vendim të ngjashëm mori edhe Britania e Madhe. Qeveria atje parashikon që të ndërpresë importin e naftës ruse deri në fund të vitit 2022. Periudha e tranzicionit do të përdoret për t’i dhënë kohë tregjeve, bizneseve dhe zinxhirit furnizues që të gjejë burime zëvendësuese.

Bashkimi Europian ka dalë kundër bllokimit të importimit të naftës ruse, por ka deklaruar se do të punojë për të ulur varësinë e kontinentit nga gazi rus.

Pavarësisht listës së gjatë të sanksioneve që i janë vendosur presidentit rus, Biden paralajmëroi se “Putini duket i vendosur të vazhdojë rrugën e tij vrastare, pavarësisht kostos”.

Megjithatë ai tha se Ukraina “nuk do të jetë kurrë një fitore për Putin”.

Rusia ka kërcënuar më parë se do të ndërpresë të gjitha furnizimet me gaz në Perëndim nëse zbatohet një ndalim për importet e saj të naftës.

You may also like