SHBA-ja, Britania dhe Franca akuzojnë Rusinë për shantazh bërthamor

by admin
Spread the love
Centrali nuklear i Chernobyl

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca hodhën poshtë akuzat e Moskës se Kievi po planifikon shpërthimin e një bombe radioaktive në territorin e vet, ndërsa akuzuan Kremlimin se synon të krijojë një rrezik të rremë për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë. Pretendimi i Moskës bëhet në një kohë që forcat ruse po pësojnë humbje në terren në Ukrainë.

Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se po sajon një rrezik bërthamor, sikur Ukraina kërkon të shpërthejë një bombë radioaktive në territorin e vet, si pretekst për përshkallëzimin e luftës.

Ndërsa forcat ukrainase përparojnë në provincën e Khersonit, të kontrolluar nga Rusia, ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu telefonoi homologët perëndimorë të dielën dhe u tha se Moska dyshon se Kievi po përgatit “një provokim” me një bombë radioaktive.

Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe ministrat e jashtëm të Francës dhe Britanisë thanë se vendet e tyre i hedhin poshtë akuzat e Moskës dhe rikonfirmojnë mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

“Këto janë akuzat të rreme që përhapë Rusia se Ukraina po planifikon përdorimin e bombave radioaktive në territorin e saj”, thanë ata.

Këto bomba shpërndajnë lëndë radioaktive përmes shpërthimit.

Ato nuk kanë efektin shkatërrues të një shpërthimi bërthamor, por mund të ekspozojnë zona të gjera ndaj ndotjes radioaktive.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se pretendimet e bëra nga ministri rus i mbrojtjes nënkuptojnë se Moska po krijon terren që të përdorë vetë bomba të tilla dhe të fajësojë për to Ukrainën.

“Nëse Rusia telefonon dhe thotë se Ukraina po planifikon diçka, kjo nënkupton një gjë: Rusia e ka përgatitur tashmë gjithë këtë”, tha zoti Zelenskyy në një paraqitje televizive mbrëmjen e së dielës.

Zelenskyy u shpreh i bindur se komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i besojë pretendimet e Moskës.

“Kërcënimi rus me armë bërthamore është arsye për sanksione dhe shtim të mbështetjes për Ukrainën”, tha ai.

Ndërkohë, Kremlini urdhëroi civilët në Kherson të largohen në perëndim të lumit Dnipro, ndërsa forcat ukrainase po shënojnë përparime në fushën e betejës, që nga fillimi i këtij muaji, pak pasi Moska shpalli aneksimin e rajonit.

Autoritetet e instaluara nga Kremlini në Kherson njoftuan se burrat që nuk largohen nga rajoni do të duhet të bashkohen me njësitin ushtarak të vetëmbrojtjes.

Kievi akuzon Rusinë për detyrimin e burrave në zonat e pushtuara që të rreshtohen në ushtri, një krim lufte sipas Konventave të Gjenevës.

Kryeqyteti i rajonit të Khersonit është i vetmi qytet i madh që Rusia e ka kapur që nga fillimi i sulmit në shkurt.

Humbja e tij do të ishte një goditje e rëndë për planet e Rusisë.

Kjo zonë shërben si portë për në Krime, gadishulli që Kremlini e aneksoi më 2014.

Pas disfatave të mëdha në fushën e betejës, presidenti Vladimir Putin përshkallëzoi luftën, duke thirrur qindra mijëra rezervistë, duke shpallur aneksimin e territoreve të pushtuara dhe duke kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur tokën ruse.

Këtë muaj, Rusia nisi një fushatë të re duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi dhe dronë iranianë, në një valë të intensifikuar sulmesh që kanë goditur termocentralet, sistemet e ngrohjes, ato të furnizimit me ujë dhe infrastrukturën tjetër kyçe në Ukrainë para dimrit.

Kremlini: Mosbesimi ndaj Rusisë nuk e eliminon kërcënimin e rrezikut për “bombën e pistë”

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ekziston rreziku që Ukraina të përdorë “bombën e pistë” (bombë me përmbajtje radioaktive).

Në një deklaratë për gazetarët në Moskë, Peskov foli lidhur me SHBA-në, Francën dhe Britaninë të cilat hodhën poshtë pretendimin se Ukraina po përgatitet të përdorë “bombën e pistë” në territorin e saj.

“Mosbesimi ndaj informacioneve të përcjella nga Rusia, nuk e eliminon rrezikun për përdorimin e bombës së pistë. Një kërcënim i tillë ekziston dhe ky informacion u përcoll nga ministri i Mbrojtjes tek homologët e tij. U takon atyre të besojnë apo jo”, tha Peskov i cili shtoi se Rusia pretendimet e saj në fjalë ia ka përcjellë palëve përkatëse.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu në bisedat telefonike të zhvilluara dje me homologët e tij të Turqisë, SHBA-së, Francës dhe Britanisë tha se “Ukraina po bën përgatitje për të përdorur ‘bombë të pistë’”.

Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë dhe Francës në një deklaratë të përbashkët pas bisedave, hodhën poshtë pretendimet e Rusisë dhe njoftuan se nuk do të pranojnë justifikimet që do të përdoren për të rritur tensionet.

You may also like