SHBA: Ish guvernatorja e Karolinës së Jugut, pritet të njoftojë kandidimin për presidente

by admin
Spread the love

Ish guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, 51 vjeçe, pritet të njoftojë në 15 shkurt kandidimin e saj për zgjedhjet Presideciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara.

Sot, mbështetësit e saj pritet të marrin një email për një takim në 15 shkurt në qytetin e Çarlestonit, ku ajo pritet të njoftojë kandidimin, sipas një personi që ka dijeni për planet e saj, por nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për to.

Lajmin për planet e zonjës Haley e njoftoi fillimisht gazeta e Charlestonit “The Post and Courier.”

Zoti Trump ishte në Karolinën e Jugut të shtunën në takimin e parë në kuadër të fushatës presidenciale të 2024, ku u shfaq në krah të guvernatorit Henry McMaster, që ka qenë ndihmës guvernator i zonjës Haley, si edhe anëtarëve të tjerë republikanë të këtij shteti.

Gjatë administrates së zotit Trump, zonja Haley u përplas disa herë me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, duke u bërë një emër i njohur për publikun.

Largimi i saj në vitin 2018 nga posti i ambasadores në OKB, nxiti spekulimet se ajo do të sfidonte zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020 apo synonte të zëvendësonte zëvendëspresidentin Mike Pence, por ajo nuk bëri asnjë prej këtyre.

Ajo u kthye në Karolinën e Jugut, ku bleu një shtëpi në ishullin Kiawah, iu bashkua bordit të kompanisë Boeing dhe nisi të mbante diskutime publike, për të cilat siç është raportuar merrte një pagesë deri në 200,000 dollarë. Ajo shkroi dy libra, një hap që zakonisht ndërmerret prej atyre që synojnë Shtëpinë e Bardhë.

Pas sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit, zonja Haley fillimisht ngriti dyshime mbi të ardhmen politike të zotit Trump, por tha se nuk do ta sfidonte atë në zgjedhjet e 2024.

Në 2021, zonja Haley i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se ajo nuk do të kandidonte nëse zoti Trump do të ishte në garë”, por që atëherë ajo ka ndryshuar qëndrim, duke rritur veprimarinë e saj përmes organizatës jo-fitim prurëse “Stand for America” dhe duke mbështetur publikisht dhjetra kandidatë në zgjedhjet e nëntorit të 2022.

E pyetur kohët e fundit se përse po shihte mundësinë e kandidimit, pavarësisht nga komentet e saj në 2021, zonja Haley tha për rrjetin “Fox News” se “shumëçka ka ndryshuar”, duke iu referuar, ndër të tjera, problemeve ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Ajo tha se e ndjente se mund të ishte pjesë e “ndryshimit të brezit të ri”, një referencë indirekte për moshën e e zotit Trump.

Në Karolinën e Jugut të shtunën, zoti Trump i tha televizionit “WIS” se zonja Haley e kishte telefonuar disa ditë më parë për të kërkuar mendimin e tij. Zoti Trump vuri në dukje zotimin e saj të mëparshëm për të mos kandiduar kundër tij, por tha se ai nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar atë.

“Ajo tha se nuk do të kandidonte kurrë kundër meje, sepse unë isha presidenti më i madh, por njerëzit ndryshojnë mendim dhe ndryshojnë atë që ndjejnë”, tha zoti Trump. “Kështu që i thashë, nëse kështu të thotë zemra, atëherë kandido”./VOA


Top Channel

You may also like