SHBA – Biden rikonfirmon mbështetjen amerikane për sigurinë e Izraelit

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 22 prill /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Joe Biden ripohoi të dielën angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit në prag të festës së Pashkës hebreje.

“Angazhimi im për sigurinë e popullit hebre, sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për të ekzistuar si një shtet i pavarur hebre është i hekurt”, tha Biden.

Festa e Pashkëve Hebraike, e cila përkujton çlirimin e hebrenjve nga skllavëria egjiptiane, fillon sot në mbrëmje.

Lufta e vazhdueshme në Gazë nisi pasi më shumë se 1200 njerëz u vranë në masakrën e kryer nga Hamasi dhe grupet e tjera militante palestineze në Izrael më 7 tetor.

Shumë njerëz u morën gjithashtu peng nga Izraeli në Rripin e Gazës. Disa javë më parë, Izraeli supozoi se më pak se 100 nga 130 pengjet e mbetura ishin ende gjallë. Megjithatë, tani ekziston frika se shumë prej tyre mund të jenë tashmë të vdekur.

“Kjo Pashkë bie veçanërisht e rëndë për familjet e pengjeve që përpiqen të nderojnë frymën e festës – ndërsa të dashurit e tyre mbeten në robëri”, tha Biden.

Biden tha se administrata e tij po punonte për të liruar pengjet, si dhe për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe të zgjatur në Gazë, që do të ndihmonte në lirimin e pengjeve dhe do të dërgonte ndihma humanitare për civilët palestinezë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një zgjidhjeje me dy shtete që ofron siguri të barabartë, prosperitet dhe paqe të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët”, tha Biden.

Negociatat e ndërmjetësuara kryesisht nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti deri më tani kanë dështuar. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like