Shasha: Hyrja e emigrantëve në BE nga Ballkani Perëndimor, shkak për kushtëzimin e liberalizimit

by admin
Spread the love

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, ka thënë se kushtëzimi për liberalizim të vizave për Kosovën i lidhur me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, është bërë pasi futja e emigrantëve në shtetet e BE-së përmes vendeve të Ballkanit Perëndimorë është bërë një problem për BE-në.

Duke iu referuar të dhënave nga FRONTEX, të cilat tregojnë se hyrjet ilegale nga Ballkani Perëndimor për në BE janë rritur për 170 përqind këtë vit, Shasha tha se BE-ja ka ngritur shqetësim ndaj Kosovës për mospërafrimin e regjimit të vizave me regjimin e BE-së.

“Keni parë se si në kontekst të liberalizimit të vizave për Kosovën BE-ja ka ngrit shqetësim ndaj Kosovës për mos përafrimin e regjimit të vizave me regjimin e BE-së? Keni parë se si për të njëjtën arsye BE-ja po konsideron pezullimin e liberalizimit Serbisë? Eh, pra kjo është arsyeja: Të dhënat e fundit nga Frontex, the European Border and Coast Guard Agency konfirmojnë se numri i hyrjeve ilegale në BE në nëntë muaj të parë të vitit 2022 kanë shënuar rritje prej 70% krahasuar me vitin e kaluar. Ky është rekordi i hyrjeve ilegale në BE-që për nëntë muaj të parë që nga viti 2016; dhe gjysma e këtyre kalimeve ilegale kanë hyrë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. Krahasuar me vitin e kaluar kjo është rritje prej 170% të hyrjeve ilegale përmes rajonit tonë. Sirianët dhe Afganët kanë qenë shtetësi kryesore migruese”, ka shkruar Shasha në një postim në Facebook.

Shasha tha se sipas Analizës së Riskut Strategjik 2022 të FRONTEX-it, në skenarët e krizave të mëdha në fqinjësinë e BE-së do të kërkohet shtrëngimi i kontrolleve kufitare në Ballkanin Perendimor, në veçanti pasi që ”migrimi në këtë rajon është çështje e brengosjes së veçantë për shkak prezencë së prijëseve fetarë të cilët mirëmbajnë lidhje të afërta me grupet ekstreme fetare në BE”.

“E gjithë kjo nuk ka të bëjë asgjë ekskluzivisht me Kosovën. Ky është problem i gjithë rajonit. Kam thënë edhe në maj të këtij viti: sa shpenzojmë energji të panevojshme në diskutimet të llojit Procesi i Berlinit vs Ballkani i Hapur, para vetës kemi një krizë në rritje e cila kërkon vëmendjen dhe bashkëpunimin e të gjitha vendeve të rajonit”, përfundoi Shasha.

You may also like