Senegali mposht në shtëpi Katarin, organizatorët i mban vetëm matematika në lojë

by admin
Spread the love

Senegali arrin të mposhtë vendasit e këtij turneu Katarin, me shifrat 3-1 dhe merr suksesin e parë në këtë Kupë Bote. Organizatorët e këtij turneu pësojnë humbjen e dytë në dy ndeshje dhe tashmë vetëm një mrekulli do t’i mbante në lojë për të kaluar grupet. Kampionët e Afrikës e vulosën takimin me Dia, Diédhiou dhe Dieng. Për Katarin golin e parë në këtë kompeticion e shënoi Mohammed Muntari.

Senegali nis më mirë sfidën, por me kalimin e minutave edhe loja e Katarit rritet. Vendasit pretendojnë një penallti për një faull të padhënë të shkaktuar nga Sarr në dëm të Afif. Kur ndeshja po dukej e ekuilibruar një gabim i mbrojtësit Khoukhi është shfrytëzuar nga Dia që zhbllokon sfidën, duke kaluar Senegalin në avantazh.

Pjesa e dytë nis menjëherë me gol, është Diédhiou ai që shënon golin e dytë për afrikanët dhe Senegali e sheh veten në avantazh të dyfishtë. Katari mundohet të reagojë dhe i afrohet golit të parë me Abdelkarim dhe Ali Almoez.

Vendasit këmbëngulin dhe hidhen në sulm në kërkim të golit që mund të rihapë sfidën, por portieri Mendy bëhet protagonist duke i mohuar golin Mohammad, duke bëë një pritje spektakolare.

Katari luan më mirë dhe arrin që të ngushtojë shifrat me Mohammed Muntarin, që realizon golin e parë të vendasve në këtë turne. Vendasit vazhdojnë përpjekjet dhe hidhen përpara për të barazuar shifrat, por sulmuesi i Senegalit Bamba Dieng arriti të çojë topin në rrjetë pas një kundërsulmi dhe vulosi këtë takim.

Senegali fiton 3-1, merr suksesin e parë në grup dhe mban gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm. Katari pëson disfatën e dytë në grup dhe tashmë vetëm një mrekulli do ta mbante në lojë për të kaluar në fazën tjetër. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter

You may also like