“Sëmundja” e zakonshme, Shqipëria ndalet nga Gjeorgjia në “Air Albania”

by admin
Spread the love

Ndodh e zakonshmja, Shqipëria e ka të vështirë të çajë kundër ekipeve që vijnë e luajnë të ngjeshura. Skuadra e drejtuar nga Edy Reja barazoi 0-0 në miqësoren e sotme kundër Gjeorgjisë, edhe pse bëri një ndeshje më të mirë dhe kishte disa mundësi shënimi.

Endri Çekiçi mund t’i kishte nderuar kuqezinjtë që në pjesën e parë, por goditja e tij në minutën e 36-të të ndeshjes shkoi mbi traun e portës. Një rast shumë i mirë shënimi, sikurse e kishte edhe Gjeorgjia me pas me anë të Davitashvili.

Shqipëria donte të fitonte dhe në pjesën e dytë, por Vako i miqve ishte ai që dha sinjalin e parë. Në minutën e 59-të kuqezinjtë mund të kishin festuar, por Cikalleshi që me një veprim teknik shtangu mbrojtësit kundërshtarë, nuk bëri zgjedhjen e duhur.

Manaj e priste në zonë, ndërsa sulmuesi kërkoi ta çonte topin në rrjetë me një diagonale. Pranë shtyllës topi, sikurse edhe pak minuta më pas kur Vrioni e devijoi shumë pranë portës.

Këmbëngulja e Shqipërisë vijoi, por Gjeorgjia linte pak hapësira. Kristjan Asllani u mundua ta zgjidhte me një goditje nga distanca, por portieri kundërshtar ia mohoi golin duke e devijuar portën.

Kështu i gjithë takimi përfundoi me rezultatin e barabartë 0-0. Kjo ishte miqësorja e dytë e kuqezinjve në pak ditë. Më parë ishin mposhtur nga Spanja me rezultatin 1-2 në Barcelonë. / oversport.tv

You may also like