Seleksionimi i FSHF në Frankfurt, interesi i lartë dhe elementë të talentuar për t’u mbajtur në vëzhgim

by admin
Spread the love

Është zhvilluar në fundjavë seleksionimi i programuar nga Drejtoria e Ekipeve Kombëtare e FSHF-së në qytetin e Frankfurtit, me lojtarët shqiptarë të vitlindjes 2005-2009 që aktivizohen nëpër klubet gjermane, zvicerane dhe belge.

Në këtë seleksionim 1-ditor kanë marrë pjesë rreth 150 lojtarë, të cilët janë vënë nën urdhrat e stafit teknik të FSHF-së, që përbëhej nga trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave, si Armando Cungu, Ardi Behari, Ervin Bulku, Armand Damo si edhe shefi i Drejtorisë së Ekipeve Kombëtare, Dritan Babamusta, etj.

Përzgjedhja e lojtarëve të ftuar është bërë nga kjo drejtori në bashkëpunim me skautët e FSHF-së nëpër Europë, të cilët kanë evidentuar dhe monitoruar në vazhdimësi futbollistë të vegjël shqiptarë që jetojnë me familjet e tyre në këto vende dhe që paraqesin potencial për t’u bërë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave kuqezi.

Stafi teknik i FSHF-së ka parë lojtarët në aksion, qoftë duke i testuar në parametra fizikë, ashtu edhe në nivelin teknik, duke zhvilluara disa ndeshje kontrolli mes grupeve gjatë gjithë ditës. Vlen për t’u theksuar fakti se mes lojtarëve të paraqitur në këtë seleksionim janë vënë re elementë të talentuar, të cilët kanë të dhëna mjaft të mira dhe do të vëzhgohen edhe në të ardhmen për t’u pasur në konsideratë në grumbullimet e ardhshme të ekipeve kombëtare të moshave.

Për këtë arsye seleksionimi i organizuar në Frankfurt mund të cilësohet si i suksesshëm, duke ia arritur qëllimit që lojtarët shqiptarë të çfarëdolloj moshe kudo nëpër Europë të kenë shansin për t’u provuar me fanellën kuqezi.

Një tjetër seleksionim i ngjashëm do të zhvillohet edhe në Milano të Italisë nga stafi teknik i FSHF-së, kur pritet të marrin pjesë të paktën 150 futbollistë të të njëjtës grup-moshë, që aktivizohen me klube në Italia, por edhe nga vendet përreth. Drejtoria e Ekipeve Kombëtare vazhdon punën intensive për të zbuluar talente të vlefshme për ekipet kombëtare të moshave e që mund të jenë pas disa vitesh protagonistë në Kombëtaren A. Në periudhën në vazhdim FSHF do të organizojë edhe seleksionime të tilla në vende të tjera të Europës, ku jetojnë komunitete shqiptarësh dhe ku FSHF ka skautët e saj që kujdesen për të zbuluar lojtarë të talentuar.

You may also like