Sekretet e Milanit dhe “shuplaka” ndaj drejtuesve, Maldini flet si kurrë më parë

by admin
Spread the love

Paolo Maldini është një nga arkitektët e Milanit që riktheu titullin kampion pas 11 vitesh në kampin kuqezi. Kapiteni legjendar, tashmë në rolin e një drejtuesi në klubin e vetëm që ka mbrojtur gjithë karrierën, ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”.

Fillimisht ai kishte një dedikim për titullin kampion: “Ia dedikoj nënës dhe babait tim, shpresoj që të jenë krenarë për mua atje lart. Babai mund të më ketë thënë ndonjë gjë, vetëm një përkëdhelje në shpinë ose një përqafim. Ai ishte fjalëpakë, veçanërisht me mua. Nga ana tjetër, edhe dy fëmijët e mi janë fjalëpakë. Ashtu siç isha kur luaja: të folurit ishte një ekzagjerim, u përpoqa ta bëja sa më pak…”

“Është triumfi i parë i një jete të re. Këtë herë nuk luajta me shpejtësi dhe teknikë, por me kokën dhe vlerat e mia. Unë e konsideroj të bukur. Një gjë e bashkon me titujt e tjerë që fituam: pasioni për Milanin dhe futbollin. Unë do të thoja se është një kryevepër. Është fitorja e ideve, vullnetit dhe shpirtit të ekipit.

Qëndruam në krye për dy vite dhe arritëm të bënim diçka super kundër parashikimeve. Në 20 vite kishim fituar vetëm dy tituj dhe kjo është arsyeja pse na jep kaq shumë krenari. Është i ngjashëm me titullin e fituar me Zaccheroni në vitin 1999, por erdhi me më pak investime dhe më shumë ide”, shprehet Maldini fillimisht.

Ka qenë të shumtë ata që kanë thënë se e humbi Interi titullin. Maldini ka mendimin e tij edhe për këtë: “Janë opinione. Morëm 86 pikë dhe vetëm një herë në historinë e kampionateve me tre pikë Milani ishte në gjendje të grumbullonte më shumë. Dua të shtoj se entuziazmi që shënuam te tifozët ishte edhe për shkak të lojës dhe guximit që tregoi ekipi. Edhe në zgjedhjet e merkatos. Këtë dimër e kishim jashtë Kjaer të dëmtuar, Tomori operoi meniskun dhe nuk kishte buxhet. Mund të kishim huazuar një lojtar për të mbyllur vrimën, por në vend të kësaj u besuam të rinjve tanë. E dimë se mund të na garantojnë shumë”.

A ka sekrete ky Milan? Maldini shton: “Nga viti 2019 e deri më sot kemi afruar 21 lojtarë. Një përzierje djemsh me përvojë dhe shumë të rinjsh. Unë dhe Massara i treguam secilit historinë e një projekti që më pas u realizua. Kemi qenë të besueshëm dhe kjo është një pjesë e rëndësishme e suksesit tonë. Sigurisht që ishin histori të ndryshme. Te Zlatan, për shembull, i kërkuam të na jepte atë që mund t’i sillte grupit tani. Për një djalë të ri si Kalulu, fjalimi ishte: ‘Gjashtë muajt e parë shiko dhe mëso. Je në atdheun e mbrojtjes, mëso përmendësh gjithçka. Herët a vonë vjen mundësia”.

Nuk mund të mos kishte një mendim edhe për trajnerin Stefano Pioli: “Të jesh normal në vitin 2022 është diçka e veçantë. E kam njohur Stefanon, pasi kam luajtur me të në ekipin U-21. Kam pasur gjithmonë respekt për atë si njeri dhe trajner, nga jashtë më ka pëlqyer gjithmonë. Ajo që më befasoi është intensiteti i transmetimit të ideve të tij dhe energjia që ai jep në Milanello.

I thashë disa herë: ‘Mund të ndryshosh të gjitha sistemet e lojës që dëshiron, por mos e humb këtë energji që është jetike për ne’. Dhe shikoni, ai është gjithashtu i ashpër në gjërat që thotë. Më pëlqen shumë kjo gjë”. Maldini është pyetur edhe në lidhje me vazhdimësinë, nisjen e një cikli fitues për Milanin dhe i thotë gjërat troç.

“Duhet vullneti i klubit për të hapur një cikël. Sot Milani me një vizion strategjik të nivelit të lartë, mund të vazhdojë të konkurrojë vitin e ardhshëm me më të mëdhenjtë. Nëse do të zgjidhnim një vizion pa investime, do të mbeteshim në harresë mes gjashtë apo shtatë skuadrave më të mira të Italisë, që do të përpiqeshin të fitonin Scudetton dhe të kualifikoheshin në Champions League.

Kjo është arsyeja pse është koha që pronarët, Elliott apo ai që mund të vijë, të mbyllin periudhën trevjeçare dhe të kuptojnë se çfarë strategjie duan për të ardhmen. Me dy ose tre nënshkrime të rëndësishme dhe me konsolidimin e lojtarëve që kemi, ne mund të konkurrojmë për diçka më të madhe në Champions League”.

Rinovimi im dhe i Massara? Kontratat tona po skadojnë dhe nuk e kemi rinovuar. Më duhet të them se për rrugën tonë dhe për atë që ka ndodhur në të kaluarën – edhe gjatë periudhës së krizës me Rangnick – e shoh si mosrespektim që deri më sot CEO dhe Elliott nuk janë ulur as të bisedojnë me ne. Thjesht them te flasim. Sepse ata gjithashtu mund të na thonë ‘puna juaj nuk ishte aq e mirë sa për të vazhduar’.

Ose mund të them ‘nuk më pëlqen strategjia juaj’. Mua më pëlqen të jem një lloj garancie për tifozët dhe lojtaret e Milanit. Unë nuk jam personi i duhur për të bërë një projekt që nuk ka një ide fituese. Nuk mund ta bëja kurrë këtë. Realiteti është se pronarët nuk janë ulur kurrë në tavolinë dhe kjo nuk është gjë e mirë”. / oversport.tv

Foto: AC Milan, Twitter 

You may also like