Sekretari Austin: Koha për goditje domethënëse ndaj grupeve paraushtarake të mbështetura nga Irani

by admin
Spread the love

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të enjten se ka ardhur koha për t’i dhënë një goditje më të fortë milicive të mbështetura nga Irani që kanë sulmuar forcat dhe anijet amerikane në Lindjen e Mesme dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të ndërmarrë veprime domethënëse si kundërpërgjigje për vdekjet e tre ushtarakëve amerikanë në Jordani.

Prej ditësh, Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se sulmet mund të bëhen nga momenti në moment. Për shkak të rrezikut nga kundërpërgjigja, disa grupe militante kanë njoftuar se do të ndalin veprimtarinë luftarake. Megjithatë deri të enjten rebelët huthi të Jemenit vazhduan të sulmojnë anijet dhe nisën një raketë balistike ndaj një anijeje me flamur liberian në Detin e Kuq.

“Në këtë pikë, ka ardhur koha të eliminojmë edhe më shumë nga kapacitetet e tyre se në të kaluarën”, tha Sekretari Austin të enjten gjatë konferencës së parë për shtypin që nga shtrimi i tij në spital më 1 janar, për shkak të komplikacioneve nga trajtimi për kancerin e prostatës.

Goditjet e mëparshme ajrore të Shteteve të Bashkuara nuk i kanë dekurajuar sulmet e militantëve. Që nga fillimi në tetor i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupet militante të mbështetura nga Irani kanë sulmuar bazat amerikane në Irak dhe Siri të paktën 166 herë, duke përdorur raketa, predha dhe dronë. Në kundërpërgjigje, Shtetet e Bashkuara kanë bërë mbi dymbëdhjetë sulme ajrore ndaj objekteve të militantëve në të dyja këto vende. Ushtria amerikane ka bërë edhe sulme ajrore ndaj rebelëve huthi të mbështetur nga Irani në Jemen.

Shtetet e Bashkuara konsiderojnë përgjegjës grupin Rezistenca Islamike në Irak për sulmin ndaj bazës “Tower 22” në Jordani. Grupi vepron si një organizatë mëmë për milicitë e mbështetura nga Irani, ndër të cilat është grupi militant Kataib Hezbollah.

Ndërsa Irani ka mohuar të ketë patur përfshirje, Sekretari Austin tha të enjten se “nuk dimë se sa dinte apo nuk dinte Irani. Por nuk ka vërtet rëndësi, pasi Irani i sponsorizon këto grupe”.

Sekretari Austin tha se “pa këtë ndihmë, këto lloj gjërash nuk do të kishin ndodhur”. Ai tha se Pentagoni ende po ekzaminon dronin që goditi bazën “Tower 22”, e ndodhur në Jordaninë verilindore dhe që ka luajtur një rol thelbësor për praninë amerikane në Sirinë fqinje.

“Nuk mendoj se kundërshtarët kanë mentalitetin e të sulmuarit vetëm një herë. Dhe ata kanë shumë kapacitete. Unë kam shumë më tepër”, tha Sekretari Austin. “Do të bëjmë çfarë është e nevojshme për të mbrojtur forcat tona”.

Në Detin e Kuq, militantët huthi kanë sulmuar anijet tregtare dhe luftarake pothuajse 40 herë që nga nëntori. Në sulmin më të fundit, ata nisën të enjten një raketë balistike ndaj një anijeje transporti me flamur liberian, thanë zyrtarët amerikanë.

Sulmi ndodhi në perëndim të Hodeidas, një qytet port në Jemen që kontrollohet prej kohësh nga rebelët, njoftoi një grup ushtarak britanik që mbikëqyr linjat e transportit detar në Lindjen e Mesme. Ekuipazhi dhe anija janë të padëmtuar dhe shpërthimi ndodhi në det pranë anës së djathtë të anijes.

Zyrtarët amerikanë thanë se anija e sulmuar mban emrin “Koi” dhe është e regjistruar me pronësi në Bermuda. Nuk u arrit të vendosej kontakt me zyrtarët e kompanisë menaxhuese. Zyrtarët amerikanë folën në kushte anonimiteti për shkak të të dhënave të zbulimit. Grupi huthi nuk mori autorësinë për sulmin.

Rebelët huthi thonë se po i sulmojnë anijet për shkak të ofensivës së Izraelit kundër Hamasit në Gazë. Por, ata kanë sulmuar shpesh anije me lidhje të paqarta, ose pa lidhje fare me Izraelin, duke rrezikuar transportin detar në këtë rrugë jetike për tregtinë globale mes Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.

Huthitë goditën një anije tregtare me raketë më 26 janar, duke shkaktuar një zjarr që vazhdoi të digjet për orë të tëra.

Pentagoni ka dislokuar në rajon aeroplanmbajtësen “Dwight D. Eisenhower”, së bashku me të paktën gjashtë luftanije kryesore amerikane, avionë luftarakë dhe avionë për monitorimin e qiejve. Këto mjete janë futur tashmë në përdorim për të bërë sulmet ajrore dhe për të mbrojtur anijet.

Ushtria amerikane njoftoi se në orën e vona të së mërkurës, avionët luftarakë amerikanë F/A-18 goditën dhe shkatërruan 10 dronë të rebelëve huthi që ishin përgatitur për t’u nisur, si dhe një stacion komandimi që përdorej nga rebelët. Shtetet e Bashkuara interceptuan gjithashtu një raketë balistike, si dhe dronë të tjerë që ishin nisur gjatë ditës./voa


Top Channel

You may also like