Sanksionet, Kurti kritika BE-së për masat: Nuk ka kompromis me sundimin e ligjit

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për herë të parë në lidhje me masat e vendosura nga BE ndaj Prishtinës zyrtare, ndonëse një zëdhënës i unionit konfirmoi më herët se ato i ishin komunikuar qeverisë që më 28 qershor.

Teksa i quajti të padrejta “sanksionet” e unionit, që në shënjestër kishin integrimin e Kosovës, Kurti përsëriti qëndrimin se vendi i tij nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit.

“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutiv më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se Kosova do të vazhdojnë me zbatimin e programit qeveritar, dhe se shpreson që këto masa të jenë të shkurtra.

“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, shtoi ai.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Gjithashtu, pezullohet programi i fondeve për Kosovën nga IPA 2024.

You may also like