Sampdoria fiton derbin e mbijetesës dhe shtyn drejt Serie B rivalët e Genoas

by admin
Spread the love

Pas 99 minutash lojë, është Sampdoria ajo që feston në derbin e Gjenovës. Skuadra e Giampaolos ka fituar 1-0 derbin e mbijetesës kundër Genoas dhe ka hedhur një hap të madh drejt qëndrimit mes më të mirave të Italisë. Një gol i Sabirit ka vendosur fatin e kësaj sfide. Genoa, që humbi një penallti në kohën shtesë, rrezikon seriozisht rënien nga kategoria pas kësaj disfate.

Në “Luigi Ferraris” luhet derbi i Gjenovës mes Sampdorias dhe Genoas, një sfidë që vlen shumë në luftën për mbijetesë në Serie A, pasi të dyja skuadrat rrezikojnë rënien nga kategoria. Nuk lejohen gabimet dhe frika është shumë e madhe.

Kjo duket edhe në fushën e blertë, pasi skuadrat kanë frikë se humbasin dhe gjuajtja e parë në portë vjen vetëm në minutën e 20. Amiri provon për kuqeblutë, por portieri Audero është në gadishmëri. 5 minuta më vonë, Sabiri zhbllokon sfidën dhe kalon Sampdorian në avantazh. Mungojnë rastet dhe gjuajtjet në portë në minutat e mbetura të pjesës së parë.

Genoa mundohet të reagojë në pjesën e dytë, por është sërish Sampdoria që i afrohet golit me Sabirin. Kuqeblutë mundohen të reagojnë por nuk arrijnë të çajnë murin e Sampdorias. Skuadra e Blessin nuk ka çfarë të humbasë dhe hidhet e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit.

Genoa fiton një penallti në minutat shtesë të takimit, por Domenico Criscito gabon nga pika e bardhë dhe gjuajtja e tij pritet nga portieri Audero.

Mbyllet 1-0 ky derbi mbijetesë. Sampdoria hedh një hap të madh drejt shpëtimit, ndërsa Genoa rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.

Foto: U.C. Sampdoria, Facebook

You may also like