Salernitana fiton derbin e mbijetesës dhe del nga errësira, Venezia drejt Serie B

by admin
Spread the love

Salernitana fiton 2-1 derbin e mbijetesës përballë Venezias dhe për herë të parë këtë sezon del jashtë zonës së ftohtë që të zbret në kategorinë inferiore. Djemtë e teknikut Nicola marrin një trepikësh të artë në këtë ndeshje të prapambetur dhe tashmë ngjiten në kuotën e 29 pikëve në tabelën e klasifikimit. Bonazzoli në pjesën e parë dhe Verdi në të dytën vulosën këtë fitore të çmuar të vendasve, ndërsa goli i Henry nuk i ka shërbyer për asgjë Venezias.

Salernitana merr fitoren e 4-t në 5 ndeshjet e fundit në Serie A dhe kur kanë mbetur edhe 3 javë nga përfundimi i kampionatit ka shanse shumë të mira për të qëndruar në elitën e futbollit italian.

Venezia pëson humbjen e 10-të radhazi në kampionat dhe tashmë është thuajse e rënë në Serie B.

Në “Arechi” luhet një derbi mbijetese mes Salernitanës dhe Venezias. Vendasit nisin vrullshëm sfidën dhe zhbllokojnë menjëherë ndeshjen me Bonazzolin, që godet saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Salernitana dominon sfidën dhe e mbështetur nga 25 mijë tifozë kërkon që të shënojë edhe golin e sigurisë. Rastin më të pastër e ka Djuric në fund të pjesës së parë, por Caldara largon topin në vijën fatale të portës.

Venezia mundohet që të reagojë në pjesën e dytë dhe i afrohet golit të barazimit me Aramu. Miqtë luajnë më mirë dhe barazojnë shifrat me Henry, që dërgon në rrjetë një top të grushtuar nga portieri Sepe. Pas verifikimit në VAR, goli është i vlefshëm.

Salernitana nuk pajtohet me këtë rezultat dhe tekniku Nicola hedh në fushë Verdi, që shpërblen besimin e teknikut duke shënuar golin e avantazhit pak minuta më vonë.

Vendasit mundohen të administrojnë rezultatin, ndërsa miqtë hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit. Mattia Aramu i afrohet golit të barazimit, por Venezia nuk arrin që të evitojë humbjen në “Arechi”. Mbyllet 2-1. Salernitana hedh një hap të madh drejt mbijetesës, ndërsa Venezia është me një këmbë në Serie B. / Oversport.tv

Foto: US Salernitana 1919 Twitter

Itali-Serie A / E Prapambetur

Salernitana- Venezia 2-1

Bonazzoli 7’ (pen), Verdi 67’ / Henry 58’

You may also like