“Sakrifica” e prindërve shqiptarë që internojnë fëmijët e tyre për “një jetë më të mirë”

by admin
Spread the love

Ky është “iluzion i madh”. Prindërit shqiptarë organizojnë internimin e fëmijëve të tyre, shpesh në Itali, Gjermani apo Francë pavarësisht rreziqeve dhe vështirësive që presin të miturit e pashoqëruar. Ata shpresojnë se do të kthehen në shtëpi me diploma të mira, por ndërkohë janë zemërthyer. Dëshmitë

Alma është e dëshpëruar dhe e pikëlluar. Ajo e shtyu djalin e saj adoleshent që të kërkonte një jetë më të mirë në Europë, por kjo nënë shqiptare, që atëherë nuk ka marrë asnjë lajm dhe është penduar. “Meraku më kullot shpirtin, unë jam fajtorja, unë jam ajo që e kam shtyrë të largohet. Ku është, çfarë po bën?, pyet e veja 38-vjeçare, duke i rrjedhur lot në fytyrë.

Ajo pastron Bashkinë e Tiranës për të mbijetuar, por nuk hezitoi të vendosë të gjitha kursimet e saj për të lejuar Arbenin, 16- vjeçar, të niset me makinë në fillim të dhjetorit për në Gjermani me tre të rinj të tjerë. “Ai ka talent, këndon shumë mirë, mund të studiojë dhe të ketë jetën që unë nuk e kam pasur kurrë”, tha ajo në kushte anonimiteti.

Rreziqet që i presin të miturit e pashoqëruar

Ka pak të dhëna për këta prindër shqiptarë që organizojnë internimin e fëmijëve të tyre, shpesh në Itali, Gjermani apo Francë, pavarësisht rreziqeve dhe vështirësive që i presin të miturit e pashoqëruar në vendet ku ata nuk flasin gjuhën. Ka edhe nga ata të rinj që të vetëm e marrin iniciativën për të ikur jashtë pasigurisë, apo vështirësive familjare.

Sipas Eurostat, shqiptarët ishin në top 20-shen e të miturve të pashoqëruar në Bashkimin Europian në vitin 2020, por shumë prapa, megjithatë, nga të rinjtë afganë, sirianë apo pakistanezë. Por sipas specialistëve, ardhjet e shqiptarëve në BE janë ngadalësuar ndjeshëm me koronavirusin. Policia shqiptare sqaron gjithashtu se ka vendosur turbo për të parandaluar largimin e të rinjve që nuk kanë dokumentet e shumta të nevojshme, përfshirë autorizimin e noterizuar prindëror. Kështu, nga janari deri në nëntor të këtij viti, 309 të mitur janë penguar të largohen nga 239 në të njëjtën periudhë të vitit 2020.

“Iluzioni i madh”

Kur vendi i varfër ballkanik në vitin 1990 u hap me botën, pasi ishte mbyllur hermetikisht nga një diktaturë paranojake, Perëndimi mishëroi arratisjen për një jetë më të mirë. Gjatë 30 viteve të fundit, 1.7 milionë njerëz, ose 37% e popullsisë, janë larguar nga një vend ku , sipas statistikave zyrtare, një në tre të rinj është i papunë, shkruan “Charente Libre”, transmeton portali Shtegu. “Edhe sot për shumë shqiptarë, Perëndimi është një parajsë që do të zgjidhë të gjitha vështirësitë ekonomike dhe sociale të familjeve të tyre”, pohom Drita Teta, sociologe në Tiranë. Por “është iluzioni i madh”.

Gjithçka ishte larg parajsës, filmat, fotot në rrjetet sociale, është larg asaj që kisha menduar.
Në moshën 16-vjeçare, Florimi – një emër fiktiv – e mësoi këtë në mënyrën e vështirë. I nisur për në Francë në mes të tetorit pa dijeninë e prindërve, një muaj më vonë ai u kthye në shtëpi. “Gjithçka ishte larg parajsës, filmat, fotot në rrjetet sociale, është larg asaj që kisha menduar”, i thotë adoleshenti shumë i prekur, nënës së tij, gjyshes dhe babait të tij, të cilët erdhën për ta përshëndetur në kthimin e tij në Tiranë.

Kur nëna e tij Manjola, 36 vjeç, më në fund mësoi vendndodhjen e tij, ajo u përpoq ta kthente atë, duke përfshirë nënshkrimin e dokumenteve të nevojshme për autoritetet franceze për të lejuar kthimin e një të mituri të pashoqëruar. “Mendova se ai mund ta gjente veten në shoqëri të keqe, të merrte ndonjë rrugë të keqe”, thotë ajo. Alain Bouchon, shoqata e të cilit ka mirëpritur rreth 300 të mitur në lindje të Francës gjatë 12 muajve të fundit, duke përfshirë 13 shqiptarë, konfirmon se jeta e tyre nuk është e thjeshtë.
Ata janë vendosur në qendra me “njerëz me prejardhje të ndryshme” dhe kjo mund të jetë “një tronditje e vërtetë për një të ri shqiptar që vjen me një lidhje të fortë me vendin e tij, me familjen”, shpjegon ai. Gjithashtu, disa janë aty vetëm sepse prindërit i kanë shtyrë atje, dhe refuzojnë çdo projekt integrues. “Një pjesë shkon në krime të vogla dhe bëhet pre e lehtë për mjetet e ndryshme mafioze”.

Në Domen, në veriun malor të Shqipërisë, Hadije Uruçi qan teksa rrëfen se ka “vrarë dashurinë e nënës” duke lënë katër fëmijët e saj në Belgjikë. “E vrava për fëmijët e mi, është një sakrificë e madhe, por nuk kisha zgjidhje”. Në vitin 2015, ajo u largua nga Domeni me katër fëmijët e saj, atëherë nga dy deri në nëntë vjeç, për shkak të kërcënimeve të marra për denoncimin e hapjes së një guroreje. Pas gjashtë muajsh në një kamp në Belgjikë, prindërve iu refuzua azili dhe u dorëzuan për t’i lënë fëmijët e tyre te të afërmit.

Të vegjlit janë “integruar shumë mirë, kanë rezultate të shkëlqyera në shkollë”, thotë nëna e tyre. “Perëndimi nuk është parajsë por është ende një parajsë e vogël në krahasim me problemet në Shqipëri”. Prindërit shpresojnë se ata do të kthehen në vend me diploma të mira, por ndërkohë janë zemërthyer.

You may also like