Rusi, rritet shkalla e antisemitizmit pas fillimit të luftës në Gaza – Shqip

by admin
Spread the love

Lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka shkaktuar rritjen e antisemitizmit në Rusi, e cila ditët e fundit shënoi atë që vëzhguesit thonë se ishte rasti më i rënë në disa dekada. Siç njofton ekipi i Zërit të Amerikës nga Moska, incidentet kanë krijuar një klimë frike dhe pasigurie për komunitetin hebre të Rusisë, ndër më të mëdhenjtë në botë.

Qindra njerëz hynë me forcë në aeroportin Mekashkala në Republikën e Dagestanit me shumicë myslimane, në pjesën jugore të Rusisë. Synimi i tyre ishte për t’u zënë rrugën pasagjerëve të një aeroplani që sapo kishte mbërritur nga Tel Avivi.

Vëzhguesit e cilësojnë incidentin si rastin më ekstrem të antisemitizmit në Rusi në dekada. Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi forcat e jashtme.

“Ngjarjet në aeroport u nxitën, ndër të tjera, përmes rrjeteve sociale, jo më pak nga Ukraina, nga duart e agjentëve të shërbimeve speciale perëndimore”, tha Presidenti Putin.

Një krizë etnike në Kaukaz do të përbënte një sfidë të madhe për Kremlinin, thonë ekspertët, sepse Moska e sheh kontrollin social si një përparësi kryesore.

“Gjëja më e rëndësishme për shtetin është ruajtja e stabilitetit politik dhe shmangia e çdo lloj proteste. Deri më tani, ata i kanë trajtuar mirë këto kriza, por nuk dihet për të ardhmen”, thotë Alexander Verkhovsky, Drejtor i Qendrës Kërkimore SOVA.

Për hebrenjtë në Rusi, incidenti në Dagestan është një kujtesë se konflikti mes Izraelit dhe Hamasit mund të shndërrohet në një kërcënim lokal, dhe jo vetëm në republikat me shumicë myslimane.

“Njerëzit janë padyshim të cenuar për shkak të konfliktit izraelito-arab, si rezultat i teorive të ndryshme ideologjike anti-hebraike të islamit radikal. Ky efekt po ndjehet këtu dhe qytete të tjera, çka përbën një kërcënim të mundshëm. Një kërcënim real mund të jetë në qytetet më të mëdha të Rusisë”, thotë rabini Alexander Boroda me Federatën e Komuniteteve Hebraike të Rusisë.

Shumë nga kritikët më të mëdhenj të Kremlinit, të komunitetit hebre, mërguan pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës. Mes tyre është edhe kryerabini i Moskës, Pinchas Goldschmidt, i cili shërbeu për gati 30 vjet në atë post.

“Situata në Rusi do të përkeqësohet në përgjithësi, dhe veçanërisht për hebrenjtë. Jo të gjithë mund të largohen, sepse disa kanë prindër të moshuar apo arsye të tjera. Por ata që kanë mundësi, duhet të largohen”.

Në aeroportin e Dagestanit është kthyer qetësia pas sulmit më të madh kundër hebrenjve në këtë rajon. Ndërsa përshkallëzohet lufta në Lindjen e Mesme, ekziston frika se diçka e ngjashme ose më e keqe mund të ndodhë./VOA

You may also like