Rubin: Liderëve të Kosovës dhe Serbisë u është dhënë një shans, ta shfrytëzojnë

by admin
Spread the love

James Rubin, i dërguari special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, tha se tani ka perspektivë për një të ardhme më të ndritur për rajonin nëse zbatohet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

SHBA-ja, siç tha ai, i mirëpret marrëveshjet në të cilat po punon BE-ja dhe ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale, t’u mundësojnë popujve të jetojnë pranë njëri-tjetrit, të njohin simbolet, të drejtat e pakicave, liritë dhe të ecin përpara, raporton gazeta malazeze “Vijesti”, transmeton Klankosova.tv.

Rubini këto komente i bëri në Podgoricë në një konferencë për media. Ai ka nisur sot vizitën në rajon, ndërsa pas Podgoricës do të vizitojë Beogradin, Shkupin dhe Tiranën.

I pyetur se si e sheh rajonin sot, krahasuar me vitet 1990, ai u përgjigj se sheh një ndryshim të madh dhe se në rajon “ka ardhur pranvera”.

Rubin ka qenë asistent i Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright në periudhën 1997-2000, kur edhe u mor vendimi për nisjen e fushatës bombarduese të NATO-s ndaj Serbisë dhe Malit të Zi (siç njihej Jugosllavia e asaj kohe) dhe vjen në rajon për herë të parë pas 23 vitesh.

“Unë shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerimit, masakrave masive të civilëve të pafajshëm… Tani mund të shohim perspektivën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, nëse liderët e pranojnë shansin që u është dhënë… Vetëm duhet të marrin disa vendime të vështira. Asgjë e mirë nuk ndodh në botë nëse nuk merren vendime të vështira. Disa vendime të vështira tashmë janë marrë, por disa të tjera duhet të merren”, theksoi Rubin.

Tutje, ai foli edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të cilin tha se po punon me zyrtarët e Kosovës për normalizim të raporteve.

Temë e vizitës së tij në rajon është lufta kundër dezinformatave ruse.

Në këtë çështje, ai tha se ata që mund të kenë pasur dyshime më parë, tani i kanë hapur sytë kur bëhet fjalë për Rusinë e Putinit – se ata kanë thyer rregullin numër një në sistemin ndërkombëtar se nuk do të pushtojnë një vend fqinj.

Zyrtari amerikan tha se sa më shumë të kuptohet kjo, aq më shumë njerëzit nga Ballkani Perëndimor do të mund të bëjnë dallimin mes interesave të Serbisë dhe Rusisë.

“Ka dallime. (Aleksandar) Vuçiq po punon me zyrtarët e Kosovës për normalizim, kjo nuk është diçka që Putini nuk e ka kërkuar apo e ka dashur”, tha Rubin dhe shtoi se Rusia nuk do të donte të shihte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Rubin, që është koordinator i Qendrës për Angazhim Global, tha se beson se mënyra më e mirë për të adresuar këtë problem është ndarja e interesave të Serbisë dhe Rusisë.

Sipas tij, njerëzit kanë filluar të shohin se Pekini dhe Moska po shpenzojnë miliarda dollarë për të manipuluar opinionin në mbarë botën. “Ka njerëz që nuk do të pranojnë se Rusia pushtoi Ukrainën. Ka një arsye për këtë, sepse informacionet dhe bazat e dijes janë të helmuara, kështu që është e vështirë për njerëzit të shohin diçka që duhet të jetë bardh e zi”, tha James Rubin, ish-asistent i Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like