Rrokaqielli i vetëm në Paris drejt të 50-tave dhe shumë parizienë ende e urrejnë atë

by admin
Spread the love

Ekziston një shaka e vjetër në Paris se maja e Kullës Montparnasse ka pamjen më të bukur të kryeqytetit francez. Jo për shkak se nga aty mund të shohësh pamjen mahnitëse të Kullës Eifel ose Bazilikës Sacre-Coeur të vendosur në majë të Montmartrit, por sepse është i vetmi vend nga ku nuk mund të shihni vetë rrokaqiellin.

Që kur kulla e qelqit 59-katëshe me ngjyrë çokollate u përurua në vitin 1973, ajo është sharë e përbaltur së tepërmi nga parizienët, të cilët e konsiderojnë si një plagë në horizontin e “Qytetit të Dritës”.

Montparnasseja është i vetmi rrokaqiell në Paris, me lartësi 210 metra, në një qytet të njohur kryesisht për uniformitetin e tij arkitekturor. Në fillim zemërimi ndaj ndërtesës së projektuar nga arkitektët Jean Saubot, Eugène Beaudouin, Urbain Cassan dhe Louis de Hoÿm de Marien, nuk ishte edhe aq befasues.

Historikisht, parisienët kanë pasur një kundërshtim pothuajse refleksiv ndaj ndryshimeve të mëdha në pamjen e qytetit të tyre. Kulla Eifel, e përfunduar në 1889, u përball me ofendimet dhe përbuzjet e francezëve të cilët i dhanë asaj epitete nga më të ndryshmit, për të mbërritur tek një “llambë tragjike rruge”  një “skelet gjigant të shëmtuar”.

Por, Kulla Montparnasse nuk ishte e vetmja. Parizienët nuk e pritën mirë as ndërtimin e piramidave të famshme prej xhami të arkitektit IM Pei, të instaluara jashtë Muzeut të Luvrit në mesin e viteve 1980, pasi i konsideronin shumë radikale në stil. Megjithatë, strukturat tashmë ikonike përfunduan duke “u rrëmbyer” zemrën, shumë ndryshe nga Montparnasse e cila mbetet e urryer nga një grup i konsiderueshëm njerëzish ndërsa i afrohet 50-vjetorit të inaugurimit më 18 qershor.

Një qytet në ndryshim

Për të kuptuar pse shumë parizianë e shohin Kullën Montparnasse si të pavend, duhet marrë parasysh pse qyteti duket ashtu siç duket sot.

Plani i qytetit të Parisit dhe stili i tij arkitektonik datojnë kryesisht në mesin e shekullit të 19-të. Në atë kohë, qyteti shihej si i mbipopulluar, i lagësht dhe i mbushur me sëmundje. Duke kërkuar ta kthente atë në një simbol të madhështisë franceze, Napoleoni III përdori Baron Georges-Eugene Haussmann, atëherë prefekti i Seines, për ta transformuar kryeqytetin në një qytet të gjallë dhe modern evropian.

Haussmann rrafshoi shumë nga rrugët e ngushta mesjetare të Parisit dhe ndërtesat e rrënuara për t’i dhënë hapësirë rrugëve të gjera, shesheve publike, parqeve të gjelbëruara dhe një sistemi të ri kanalizimesh, të cilat të gjitha ndihmuan në rigjallërimin dhe pastrimin e qytetit.

Pjesa më e dukshme e trashëgimisë së Haussmann-it është stili arkitektonik që mban emrin e tij: ndërtesat e apartamenteve Haussmannian, strukturat gjashtëkatëshe me fasadë guri që janë të kudogjendura në të gjithë Parisin dhe i japin qytetit estetikën e tij të veçantë dhe uniforme.

Rreth një shekull më vonë, Parisi u përball me një tjetër krizë identiteti. Megjithëse kryeqyteti mbeti i paprekur, Lufta e Dytë Botërore kishte lënë pjesën më të madhe të Francës në gërmadha. Rizhvillimi nënkuptonte një mundësi për të modernizuar përsëri vendin, këtë herë duke shtuar autostrada mbarëkombëtare dhe rrokaqiej të rinj – siç po bëhej në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në rrënojat e fatkeqësisë së luftës, ata donin të ndërtonin diçka krejtësisht të re për një brez të ri”– tha për CNN Virginie Picon-Lefebvre, një profesore e arkitekturës në Ecole Nationale Superieure d’Architecture Paris-Belleville dhe eksperte në arkitekturën e kryeqytetit të pasluftës.

Montparnasse, një lagje në jug të Parisit, ishte një nga kandidatët e parë për një projekt rinovimi urban në shkallë të gjerë në qytet gjatë bumit të tij ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore.

Zona tashmë kishte pësuar disa transformime. Në vitet 1920, ishte një pikë e nxehtë bohemiane për shkrimtarë dhe artistë si Salvador Dali dhe Ernest Hemingëay. Por nga vitet 1950, ajo ishte bërë një pjesë e mjerueshme e qytetit, e shënuar nga rrugica të vogla, ndërtesa të dënuara dhe një stacion treni i mbipopulluar.

Megjithëse planet tashmë ishin hartuar për kullën, plani mori vrull pas themelimit të Republikës së Pestë të Francës dhe kthimit të Presidentit Charles de Gaulle në pushtet në 1958.

Qëllimi ishte të ndërtohej një lagje moderne, e cila do t’i shërbente një brezi të ri biznesmenësh ndryshe jakat e bardha, të mbushur me zyra; ndërtesa të reja apartamentesh, një stacion treni i rinovuar, një autostradë për në aeroportin e ri që po ndërtohet në jug të Parisit — dhe kullën Montparnasse.

Fillimisht, kishte entuziazëm mbi perspektivën e modernizimit të Parisit, veçanërisht midis arkitektëve, inxhinierëve dhe zhvilluesve, shpjegoi Picon-Lefebvre. U planifikuan më shumë ndërtesa të larta dhe transformime, siç ishte ndërtimi i një distrikti biznesi në perëndim të Parisit të quajtur La Defense.

Mirëpo, opinioni publik u kthye shpejt kundër kullës, me vendasit që kritikuan lartësinë e saj në një lagje me ndërtesa më të shkurtra. Shumë banorë u ankuan se rrokaqielli i vetmuar – më i madhi në Evropë pas përfundimit të tij në 1973 – ishte i pavend në një qytet ku shumica e ndërtesave ishin vetëm gjashtë kate të larta.

Pavarësisht nga këto shqetësime, projekti vazhdoi përpara. Presidenti Georges Pompidou miratoi zhvillimin e Montparnasse në 1969, dhe një vit më vonë u hodh guri i parë i ndërtesës.

Është një tmerr,” tha një kalimtar në pamjet arkivore të paraqitura në një dokumentar të fundit në Kullën Montparnasse në televizionin francez. Një grua tjetër që qëndronte përballë kullës gati të përfunduar e quajti atë “të frikshme”. Megjithatë, kishte edhe nga ata banorë që menduan se kulla ishte moderne dhe një shenjë përparimi.

Ndërtesa ka tërhequr gjithashtu në të banorë të profilit të lartë, duke përfshirë presidentët francezë François Mitterrand, Jacques Chirac dhe Emmanuel Macron. Të tre ngritën zyrat e fushatës atje në një moment gjatë gjysmëshekullit të fundit. Picon-Lefebvre shpjegoi se ndërsa Kulla Montparnasse ishte e papëlqyeshme, ajo ende krenohej me zyra të pajisura mirë, pamje të bukura të Parisit dhe akses të lehtë në transportin publik.

“Ishte vërtet komode të punoja atje,” tha ajo.

E ardhmja e rrokaqiejve

Ndryshe nga Kulla Eifel, publiku nuk arriti kurrë – të paktën deri më tani – të ngrohej me Kullën Montparnasse. Në pjesën më të madhe për shkak të protestës publike, këshilli i qytetit të Parisit ndaloi ndërtimin e ndërtesave më të larta se 37 metra në 1977. Rrokaqiejt u dëbuan në La Defense ose në periferi të tjera deri në vitin 2010, kur administrata e pushtetit vendor në Paris, lehtësoi kërkesat për ndërtimin e kullave të larta në periferi të qytetit.

Megjithëse në periferi, ky vendim u konsiderua sërish një hap i madh, pasi flitej për ndërtesa në kufijtë administrative të Parisit. Por që ringjalli debatin publik. Kritikët vunë në dukje Kullën Montparnasse si një histori paralajmëruese, pasi shumë parizianë ende e konsiderojnë rrokaqiellin 50-vjeçar si “halë në sy”.


Top Channel

You may also like