RrGK-ja mban Kuvendin e 20, Resmije Rrahmani nderohet me çmimin “Sevdije Ahmeti”

by admin
Spread the love

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot ka mbajtur Kuvendin e 20-të Vjetor të Anëtarësisë, ku të pranishëm ishin mbi 120 pjesëmarrës nga organizatat anëtare, partnerët, miqtë e përkrahësit e rrugëtimit të RrGK-së.

Kuvendin zyrtarisht e hapi Nermin Mahmuti, Kryetare e Bordit të RrGK-së, e cila çmoi punën e organizatës përgjatë viteve duke thënë se ndihet e nderuar me pjesëmarrjen e saj në këtë Kuvend.

“Rrjeti ka dëshmuar punën e shkëlqyer dhe ka qenë transparent në punë, që është e nevojshme për ata që i përkrahin dhe i përkrah Rrjeti. Përveç misionit për avokim në emër të grave dhe vajzave rrjeti ka arritur të përfaqësojë tashmë 194 organizatat e saj anëtare në ngritjen e kapaciteteve të veta”, tha ajo duke vlerësuar edhe kontributin e anëtarëve të bordit.

Ndërkaq, në fjalën përshëndetëse u veçua edhe aktivistja e shquar për çrrënjosjen e analfabetizmit, Naxhije Buçinca, e cila ishte edhe kryetarja e bordit të parë të RrGK-së.

“Kur shkollojmë një vajzë shkollojmë një familje, një shoqëri. 1000 gra të shkolluara kanë rezultuar me Fondacionin Buçinca. Kam dëshirë t’i shkollojmë vajzat në nivel universitar. Ne para 20 vjetësh bashkë me Igballe Rogovën e kemi filluar këtë punë, vazhdojeni ju dhe mos u ndalni”.

Anëtarët e Bordit ndër vite, Delina Fico, Besim Kajtazi, Flora Macula, Vjosa Dobruna dhe Argjentina Grazhdani gjatë panelit shpalosën kujtime e historitë e tyre lidhur me punën e RrGK-së duke e vlerësuar lart kontributin e Rrjetit në fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë.

Këtë vit, për të pestën herë me radhë u bë ndarja e çmimit “Sevdije Ahmeti” si kujtim për aktivisten feministe dhe humaniste Sevdije Ahmeti (1944-2016).

Ky çmim iu nda Resmije Rahmanit (Biba), mobilizuese e grave me aftësi të kufizuara në Organizatën e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK). Çmimit i parapriu një poezi dedikuar Bibës, interpretuar nga aktorja dhe aktivistja Safete Rogova, e cila emocionoi të gjithë të pranishmit.

Tutje, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, çmoi kontributin e secilës organizatë anëtare përgjatë viteve duke bërë që objektivat e RrGK-së për barazi gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në politikë, ekonomi dhe fushave të tjera programatike të Strategjisë së Rrjetit të arrihet pothuajse tërësisht.

“Falënderoj secilin veç e veç për gjithë punën. Ka qenë energjia e 194 organizatave anëtare, bordit, stafit, partnerëve e përkrahësve tanë, bashkë me mediat që kanë qenë zëri ynë, e që falë kësaj fuqie kemi arritur ta zbatojmë strategjinë tonë katër vjeçare”, deklaroi Rogova.

RrGK-ja publikoi edhe të dhënat për punën e bërë gjatë katër viteve të fundit, duke konstatuar se numri i grave deputete është rritur nga 32,5% në 35,8%, ndërsa gjatë kësaj periudhe, 2,058 gra kanë marrë pjesë në proceset vendimmarrëse.

Përgjatë katër viteve të fundit, 24 politika publike (ligje, strategji, të tjera) janë amendamentuar, duke integruar komentet e RrGK-së.

“50 hapa u ndërmorën nga përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe të BE-së në adresimin e çështjeve të ngritura nga gratë”, tha kjo organizatë.

Po ashtu në këtë periudhë, sipas RrGK-së, 150 gra që kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore kanë marrë ndihmë ligjore, duke theksuar se ngritja e vetëdijes për dhunën me bazë gjinore është përmirësuar.

RrGK-ja thotë se ekzistojnë 19 politika për adresimin e ngacmimit seksual, kurse konstatohet se më shumë se 30 iniciativa kanë përkrahur gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

“20,000 gra dhe burra janë informuar për të drejtat e tyre në punë; 680 raste janë ndihmuar juridikisht lidhur me diskriminimin me bazë gjinore në punësim; 329 gra kërkuan të drejtën e tyre për trashëgimi ose të drejtat pronësore. Gjithashtu që nga viti 2012,  RrGK përmes Fondit të Grave të Kosovës ka dhënë  252 grante për 149 organizata.  4,368 gra tashmë kanë qasje në kujdes shëndetësor”, thanë në RrGK. /Klankosova.tv

You may also like