Rrëfimi i veçantë për “Shaqirin e Paraguait”

by admin
Spread the love

“Me golin e ‘Shaqirit paraguaian’, Independiente Petrolero është kampion në Bolivi”.

Është ky titulli i shkrimit të sajtit nga Paraguai “versus.lanacion.com.py”, për suksesin e arritur nga futbollisti Juan Godoyt me skuadrën Independiente. Kjo skuadër të dielën fitoi titullin e kampionit në Bolivi.

Godoy shënoi golin e fitores në ndeshjen dramatike. Ai realizoi për 3:2 në kohën shtesë të ndeshjes ndaj Guabiras. Godoy njihet si “Shaqiri i Paraguait”.

Këtë nofkë Godoy e ka marrë për shkak të ngjashmërisë fizike me yllin kosovar, Xherdan Shaqiri. Edhe mënyrën e festimit e ka të ngjashme me futbollistin e Lyonit e Zvicrës.

Vetë Godoy të martën për KOHËN ka thënë se i pëlqen krahasimi që i bëhet me Xherdanin.

“Ai është lojtari im i preferuar. I kam shikuar dhe vazhdoj të shikoj ndeshjet e tij. Të jem i sinqertë, më ka pëlqyer krahasimi që më është bërë me Shaqirin”, ka thënë Godoy.Nofka që mori paraguaiani lidhet me një shkrim të vitit 2018 të sajtit “extra.com.py”.

“Një këmbë e Shaqirit është sa dy krahët e paraguaianit”, ishte një prej komenteve për krahasimin që i ishte bërë.

“Do t’i duheshin edhe 10 kilogramë muskuj”, shkruhej në një koment tjetër.

Shaqiri njihet për muskujt që i ka. Vlerësohet ndër lojtarët me muskujt më të zhvilluar.

Paraguaiani pranon se vetëm për nga pamja dhe mënyra e festimit të golave i përngjan Shaqirit. Por ka ngjashmëri edhe për mënyrën e lojës.

“Sigurisht se karriera e tij është shumë më e madhe se e imja. Nuk besoj se do ta arrij nivelin e tij, por jam i lumtur që krahasohem me të. Edhe me muskuj jam prapa, por gjithsesi them se përngjajmë”, ka theksuar “Shaqiri paraguaian”.

Goli i realizuar të dielën, për Godoyn, është ndër më të rëndësishmit në karrierë. Ai edicionin e mbylli me 11 gola në 25 paraqitje.

“Jam i lumtur dhe krenar me të arriturat e mia. Do të doja të isha si Shaqiri edhe me statistika, por kam kaluar një edicion të mirë dhe për këtë jam shumë i lumtur”, ka deklaruar paraguaiani.

Shaqiri, 30-vjeçar, ka luajtur për Baselin, Bayern Munichun, Interin, Stoke Cityn, Liverpoolin dhe tani është pjesë e skuadrës franceze, Lyon. Me Bayernin dhe Liverpoolin ka fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa ka fituar edhe titullin e kampionit në Gjermani dhe Angli. Trofetë nuk i kanë as te Baseli.

“Shpresoj që Xherdani të bëjë karrierë të gjatë dhe unë të kënaqem duke e shikuar. Shpresoj po ashtu që ta takoj në ndonjë rast, në fushë apo edhe jashtë saj. Është ëndërr e imja”, ka thënë Godoy, që në të kaluarën ka luajtur për Independienten e Paraguait, pastaj skuadra, si: Martin Ledesma, Enrique Happ, Club Stomers San Lorenzo. Tani është lojtar i ekipit kampion të Bolivisë, Independiente Petrolero.

Rruga e tij në futboll nuk ka qenë e lehtë. Sa ishte pjesë e Martin Ledesmas të Paraguait, pati vendosur të tërhiqet. Pati nisur të punojë si murator dhe në të njëjtën kohë ndiqte edhe shkollimin për agronomi.

“Vendosa të largohem sepse mendova se do të mjaftonte me kaq. Por, prindërit më thanë të mos ndalem”, ka treguar ai për media në Paraguai. “Isha thuajse në të gjitha lajmet e Bolivisë dhe Paraguait për krahasimin që ma kishin bërë me Shaqirin. As nuk e dija dhe prindërit qanë shumë për këtë gjë, gjë që më motivoi të vazhdoj”.

Godoy, 28-vjeçar, në të kaluarën është shquar edhe për numrin e golave. Në kategorinë e dytë me skuadrën aktuale pati shënuar 50 gola për një edicion.

Lexo lajme interesante

You may also like