Rrëfimi i gjigantit Geri Çipi, që e la futbollin në kulmin e tij: Nga oferta e Chelsea-s e deri te duelet me fituesin e Topit të Artë, Michael Owen

by admin
Spread the love

Geri Çipi ka qenë gjithnjë një personazh i veçantë, shpeshherë misterioz për mënyrën se si i bënte gjërat.

Po, sepse ishte një nga qendërmbrojtësit më të mirë të plejadës së tij dhe e la futbollin 29 vjeç. Pa u menduar gjatë. “Ishte e drejtë ajo që bëra. Nuk do të prisja që të më linin gjunjët.

Luajta për aq kohë sa isha 100% në formë. Nuk kisha pse ta zgjasja duke u zvarritur”, thotë vlonjati 45-vjeçar.

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-futbollisti tregon se si dështoi transferimi i tij te Çelsi dhe duelet me Majkëll Ouenin, asokohe “Topi i Artë”.

Geri, pse jeni tërhequr kaq shumë? Duket sikur nuk ju tërheq më futbolli…

Mua m’u duk e drejtë tërheqja, pasi ende nuk janë pjekur gjërat dhe futbolli këtu të jetë zot i vetes.

Kjo do të thotë që keni bërë një tërheqje përfundimtare apo nëse piqen kushtet një ditë Geri Çipi mund të kthehet si protagonist në rolin e drejtuesit apo të menaxherit?

Nuk e di. Pas tërheqjes nuk më ka shkuar në mend kjo. Ndoshta edhe për shkak të impenjimit që kam. Kam disa biznese të miat dhe merrem me to. Pastaj, ja ma thuaj ti, kur do të arrijë futbolli në Shqipëri të ecë ashtu siç i takon futbollit të ecë…?

Si i takon futbollit të ecë?

Futbolli ka piketat e tij, ka bazën. Duhet të jetë një e ardhme, me rrënjë, me një fillesë, me një investim, me një të ardhme… Dhe këto duhet të jenë të gjitha të lidhura. Futbolli është zinxhir dhe duhet të mos ketë probleme asnjë nga hallkat e këtij zinxhiri, në të kundërt nuk funksionon. Dhe kjo, duke filluar nga financat, nga ekonomia, duke vazhduar te pjesa tjetër pastaj, që i takon futbollit të thotë fjalën e tij në fushë. Por, pjesa financiare është më domethënëse dhe kjo duhet të jetë e sigurt.

Cila është ndeshja me Kombëtaren që ju ka mbetur në zemër, që keni nostalgji dhe e kujtoni shpesh?

Në Irlandë ku kam dalë lojtar i ndeshjes dhe më dhanë një shampanjë të madhe si shpërblim. Unë ia dhurova Tosit (Fatos Kademi), punëtorit të Kombëtares. Këtë e mbaj mend, madje më kanë dhuruar dhe një orë në fund të ndeshjes. Pastaj dëgjova edhe një intervistë me dy trajnerët e mëdhenj që ndiqnin ndeshjen Erikson dhe Ferguson, që folën me nota të larta për mua. Por me Kombëtaren kam zhvilluar disa ndeshje mjaft të mira. Tani në kohën e pandemisë, kam parë një “replay’ të GjermaniShqipëri në Leverkusen. Atë ndeshje nuk e kisha parë. Kemi humbur 2-1, por ishte një ndeshje që nuk duhej ta humbnim. Ka qenë me të vërtetë një ndeshje spektakolare.

Keni ndonjë peng nga karrierë juaj si futbollist?

Po, kam. Luaja në Belgjikë me Gentin dhe në momentin tim më të mirë, atëherë kur unë duhet të lëvizja, kisha një ofertë konkrete nga Çelsi. Më vjen shumë keq që nuk u realizua transferimi. E kisha të dokumentuar.

Pse nuk u arrit dot, pati ndonjë ngërç në momentet e fundit?

Klubi kërkonte dyfishin e çmimit që ofronte Çelsi për kartonin tim. Kështu që, nuk po themi Çelsi milioner si sot, sepse ishte Çelsi me Zolën jo me Abramoviçin… E kam pasur në tavolinë kërkesën e tyre. Kam qenë vet në zyrë me drejtorin e Gentit, që është dhe sot drejtor i përgjithshëm i klubit dhe nuk pranonte të më lejonte pa çmimin që kishte vendosur. Por ironia e fatit është se pak kohë më vonë u detyrua të më linte të largohesha për shumë më pak.

Po ndeshjet me Anglinë, si kanë qenë?

Ah, ndeshjet me Anglinë… Na kanë rrahur pa një pa dy. Nuk na dhanë asnjë shans. Keni pasur një përballje me Majkëll Ouen, që atë vit ka fituar “Topin e Artë”.

Si ishte të përballeshit me atë Angli?

Unë kam qenë sportist që nuk kam pasur emocione. Nuk më bënte përshtypje kundërshtari ose stadiumi, sado i madh të ishte. Ndërsa, sa për dy ndeshjet, unë mbaj mend një gol që na e bënë në Njukasëll ku na bënë “çarçaf”. Nuk e pamë si na kalonin topin dhe si e bënin golin. Mos gaboj ka qenë dhe një goditje ballore nga Bekam. Ndërsa në golin e parë na çanë në qendër.

You may also like