Roma përmbys Veronën dhe ngjitet në vendin e katërt në renditjen e Serie A

by admin
Spread the love

Roma fiton me përmbysje 3-1 në “Bentegodi” përballë Veronës dhe falë këtij suksesi ngjitet në vendin e katërt në renditjen e Serie A. Verdhekuqtë vuajnë shumë për këtë sukses, që vuloset në minutat e fundit të takimit nga golat e Volpato dhe El Shaarawy.

Roma nis më mirë sfidën dhe i afrohet golit me Abraham, që me portën e boshatisur godet shtyllën. Është sërish sulmuesi anglez i verdhekuqve që i afrohet golit, por janë vendasit ata që zhbllokojnë sfidën me Dawidowicz në minutën e 26-të. Nga “ëngjëll” polaku kthehet në “djall”, pasi pak minuta më vonë ndëshkohet me karton të kuq (pas ndërhyrjes së VAR) për një ndërhyrje të gabuar ndaj Zaniolos.

Skuadra e Mourinhos në superioritet numerik shton presionin dhe godet sërish shtyllën me Abraham. Në minutat shtesë së pjesës së parë është Zaniolo ai që gjen rrugën e rrjetës dhe barazon shifrat në 1-1.

Roma dominon pjesën e dytë dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të avantazhit. Matic godet traversën për miqtë. Minutat kalojnë dhe Roma nuk po arrin që të kalojë në avantazh, por është Volpato ai që gjen rrugën e rrjetës 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Roma kryeson 2-1 dhe në minutën e dytë shtesë El Shaarawy shënon edhe golin e qetësisë, që vulos përfundimisht fatin e kësaj sfide. Roma ngjitet në vendin e katërt, ndërsa Verona mbetet e parafundit në kuotën e 5 pikëve. / Oversport.tv

Foto: AS Roma Twitter

You may also like