RMV-ja nikoqire e mbledhjes së sivjetme ministrore të OSBE-së – Shqip

by admin
Spread the love

MPJ DO TË SHPENZOJË RRETH NJË MILIONË EURO VETËM PËR VETURA TË HUAZUARA

Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e mbledhjes së sivjetme ministrore të OSBE-së, që do të mbahet prej 29 nëntor deri më 1 dhjetor në Shkup. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani gjatë një brifingu me gazetarët njoftoi se, në të do të marrin pjesë 76 delegacione nga vende anëtare dhe partnerë të OSBE-së. Ai tha se është një ngjarje shumë e rëndësishme, pasi në të pritet të sillen vendime për ardhmërinë e OSBE-së.

“Në thelb është ngjarja më e madhe, sepse për herë të parë OSBE është në krizë ekzistenciale si organizatë, e cila është themeluar nga viti 1975 me mision të ruajë paqen dhe sigurinë dhe të menaxhojë konfliktet. Për herë të parë nuk ka kryesues për vitin 2024, ndërsa duhet të caktohet dy vite më parë. Vendet janë të ndara rreth kësaj çështje. Pres që vendimi të sillet pikërisht në Shkup” – tha Osmani.

Në këtë samit të OSBE-së në Shkup, nuk dihet nëse do të merr pjesë edhe Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, para së gjithash, për shkak të hapësirës së mbyllur ajrore në vendin tonë dhe tek fqinjtë.

“Mora një letër para 4-5 ditëve nga Ministri i jashtëm, ku shfaq interes dhe kërkesë të sigurohet prezenca e tij në Shkup. Ka disa sfida, fillimisht për shkak se ahpësira ajrore e RMV-së dhe fqinjve tanë është e mbyllur për avionë rus. Kjo do të varet nga disa vendime që duhet të merren ditëve në vijim. Shpresoj të gjithë të jenë në Shkup” – deklaroi Bujar Osmani.

E për këtë organizimin e kësaj ngjarje do të harxhohen mes 5 dhe 8 milionë euro, të cilat do t’i paguajë Maqedonia e Veriut.

Osmani tha se, MPJ do të harxhojë pothuajse një milionë euro vetëm për huazimin e veturave me të cilat do të transportohen nëpër Shkup  ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së.

“Duhet të respektohen të gjitha standardet e OSBE-së, madje edhe lloji i veturës, brendi i veturës, hapësira, numri etj. Marrëveshja që kemi arritur me agjencinë për rent a car është marrëveshje kornizë si plan rezervë, sepse ne duhet sipas standardeve të OSBE-së, të kemi vetura të siguruara për çdo ministër, për çdo delegacion nga dita kur vijnë deri në ditën kur largohen. Edhe në marrëveshje qëndron qartë se, ministria nuk ka për obligim t’i shfrytëzojë të gjitha veturat, përkatësisht aq sa ka nevojë, pasi t’i shterim të gjitha resurset vendore” – tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Marrëveshja është nënshkruar me kompaninë “ABC rent”, e cila ka qenë ofertues i vetëm në shpallje dhe prej saj do të huazohen 175 vetura.

Ndërkaq, për këtë ngjarje do të angazhohen mbi 200 persona, 220 ushtarë do të jenë shoferë për delegacionet. Do të sigurohet edhe fluturim charter nga Brukseli në Shkup. /KlanMacedonia/

You may also like