RIGË – Estonia regjistron rritje të ndërhyrjeve GPS, fajëson Rusinë

by admin
Spread the love

RIGË, 4 prill /ATSH-DPA/- Estonia po has gjithnjë e më shumë ndërprerje të qëllimshme në navigimin satelitor GPS, për të cilin fajëson aktivitetin në Rusinë fqinje.

“Ndërprerjet janë bërë më të shpeshta dhe shtrirja e tyre është rritur”, tha Ivar Värk, kreu i kontrollit të trafikut ajror në vendin baltik të BE-së dhe NATO-s.

“Çdo ditë marrim 10 deri në 20 raporte nga pilotët se ka ndërhyrje GPS në disa zona ku ata kalojnë nëpër Estoni”, tha ai.

Värk beson se kjo është ndoshta për shkak të qëllimit të Rusisë për të penguar aktivitetin dhe vendosjen e dronëve sulmues ukrainas, të cilët mund të fluturojnë në territorin e Rusisë.

Autoriteti Estonez i Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Rregullimit Teknik (TTJA) tha se ndërhyrja e sinjalit GPS po transmetohet në Estoni nga rajoni i Leningradit të Rusisë dhe se është rritur ndjeshëm që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022.

Më shumë ndërhyrje janë raportuar në hapësirën ajrore të Estonisë që nga vera e kaluar, fillimisht kryesisht në verilindje të vendit.

“Që nga fillimi i vitit 2024, zona e ndërhyrjes është zgjeruar në Gjirin e Finlandës dhe zonat qendrore të Estonisë”, tha një zëdhënës i autoritetit.

Värk tha se nuk ka pasur asnjë incident që përfshin fluturimet e pasagjerëve për shkak të ndërhyrjes GPS në Estoni deri më tani.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like