Rezerva federale jep dritën jeshile: UBS të blejë filialet amerikane të Credit Suisse!

by admin
Spread the love

Rezerva Federale në SHBA i dha dritën jeshile blerjes së filialeve amerikane të bankës Credit Suisse nga rivalja e saj, UBS.

Në këtë mënyrë, largohet një tjetër pengesë e madhe në miratimin e marrëveshjes financiare të ndërmjetësuar nga qeveria e Zvicrës. Banka 167-vjeçare “Credit Suisse” , një prej institucioneve më të rëndësishme të këtij lloji në botë, u gjend në prag kolapsi pasi ishte pllakosur prej një kohë të gjatë nga skandale e humbje të vazhdueshme.

UBS ndërhyri për ta shpëtuar nga falimentimi duke e blerë atë, në një lëvizje që rezulton me përfitim edhe për këtë gjigand tjetër zviceran. Në manovrën e miratuar dhe financuar nga autoritetet në Zvicër, UBS pranoi ta blinte Credit Suisse për 3.3 miliardë dollarë, që është në fakt një fraksion i vogël i vlerës së saj në treg para kolapsit.

Autoritetet zvicerane dhe banka UBS po përpiqen t’i japin fund sa më shpejt procesit të blerjes, me synimin për të ruajtur klientët e bankës Credit Suisse dhe punonjësit e saj. Edhe pse UBS-ja e siguroi në fillim të muajit një miratim të përkohshëm nga rregullatorët antitrust të Bashkimit Europian, asaj ende i nevojitet marrja e miratimit në bazë të rregullave të BE-së për blerjen.

Banka e Anglisë thuhet se e ka dhënë OK-in e vet për blerjen, për sa u përket filialeve në Britani.


Top Channel

You may also like