Reja: Meritonim barazimin, gabimet nuk na lejojnë të bëjmë një hap përpara

by admin
Spread the love

Pas humbjes kundër Spanjës, trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Edoardo Reja u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Megjithatë ai evidentoi edhe problemet që ekipi ka dhe ku lind nevoja për t’u përmirësuar.

“Me pak më shumë vëmendje do të merrnim rezultat që do të na shërbente ne dhe djemve pasi shpenzuan shumë energji. Kemi punuar shumë në fazën mbrojtëse me të tre që dilnin para te mesfushorët e tyre. Golin e parë e kemi dhuruar.

Me pak vëmendje mund të merrnim rezultat të mirë. Kemi pësuar për fajin tonë dhe nuk po arrijmë të bëjmë këtë hap përpara e të tregojmë që jemi një skuadër e ndërgjegjshme, me vëmendje. Duhet të ndryshojë mentaliteti, nuk mund të dhurojmë gjithmonë, se këto janë dhurata.

Sigurisht Spanja është ekip i madh, luan shumë mirë. Ne arritëm të bënim disa gjëra, jo siç e planifikuam me kundërsulme siç mendonim. Por duhej të luanim kështu, sepse me Spanjën e dimë sa të aftë janë, në veçanti na mungojnë detajet që nuk na lejojnë të bëjmë hapin e rëndësishëm.

Mbetet një paraqitje e mirë, por mund të ktheheshim në shtëpi me një kënaqësi të cilën e meritonim.

VLERËSIMET- “Sot të gjithë janë përtej të mjaftueshmes si vlerësim pasi kanë bërë mirë. Nuk mund t’i dënoj djemtë sepse kanë shpenzuar energji. Edhe në aspektin taktik i mbyllëm mirë dhe kemi bërë një paraqitje të mirë. Kemi disa episode që na dënojnë përtej normales.

Sot meritonim të merrnim barazimin. Po rritemi, por nuk bëjmë hapin se na mungon diçka më shumë që të përmirësohemi, ka gjithmonë gabime që ndodhin dhe nuk duhet të bëhen. Për të qenë konkurrues nuk duhen bërë, por për fat të keq ndodhin dhe më vjen shumë keq për djemtë”.

STILI I LOJËS- “Ndoshta na mungoi pak mbajtja e topit, sepse ata janë agresive dhe nuk të japin kohë, të shpejtosh pasimin duhet të kesh teknikë, por nuk të japin kohë të marrësh frymë me 3-4 lojtarë që të sulmojnë.

Ne patëm ndonjë nisje me Brojën në pjesën e parë. Nuk mund të prisnim më shumë, të gjithë punuan shumë mirë, nuk mund t’u them asgjë djemve. Por vëmendja duhet të jetë jo në 90 minuta, por në 100”. /oversport.tv

You may also like