Reflektim: “Humori nuk ka pse të jetë vulgar për të qenë humor i bukur”

by admin
Spread the love

“Kam pasur tepër fat në jetë. Jam me Raimondon që nga viti 1962, por para këtij viti kemi qenë të fejuar bashkë për tri vite, kështu që në total kemi rreth 50 vjet bashkë. Më ftoi për një darkë dhe ma shprehu dashurinë përpara një kotolete, të cilën isha duke e ngrënë në ato momente. E mbaj mend si tani. Më pa në sy dhe më tha: “E di që jam shumë i dashuruar pas teje?”. Pastaj u kthye nga Gino Bramieri dhe filloi të fliste me të për tema të tjera, sikur unë të mos ekzistoja në atë tavolinë.

Nuk kemi rreshtur asnjëherë së qeshuri. Ky është sekreti që kemi qenë kaq gjatë dhe kaq mirë bashkë. Ne qeshnim për të njëjtat gjëra. Jetesën tonë të thjeshtë e kemi shfaqur edhe në televizion. Pastaj, kur erdhi momenti i shpërthimit të vulgaritetit, filluam të largoheshim disi. Nuk kemi pranuar të bënim kompromise për të qëndruar në televizion, me kusht që humori ynë të ishte vulgar. Ne i përkasim asaj gjenerate ku aktori di të hyjë në shtëpitë e njerëzve pa i rënë ziles, di të hyjë bukur, pa vulgaritet”. – 12 vjet më parëështë larguar nga jeta Raimondo Vianello. E kujtojmë me këto fjalë nga bashkëshortja e tij, Sandra Mondaini

Kohët kanë ndryshuar dhe realisht humori ka pësuar një transformim komplet, jo vetëm humori italian, por edhe ai shqiptar. Nëse e krahasojmë humorin e tanishëm, me atë të viteve më parë (mjafton tëkujtojmë “Pallatin 176), e kuptojmë diferencën. Tashmë duket jashtë mode të bësh humor pa ofendime, apo pa nënkuptuar diçka të lidhur me marrëdhëniet seksuale (çdo program humori funksionon kështu). Me keqardhje mund ta pranojmë se kohët kanë sjellë ndryshime për keq në këtë fushë të artit, e cila mëparë funksiononte si një çlodhje nga një rutinë e mbingarkuar ditore. Në ditët e sotme, jo vetëm që nuk tëçlodh humori i programeve televizive, por thjesht të nxit të ndërrosh menjëherë kanal. Humori nuk ka pse të jetë vulgar për të qenë humor i bukur.

You may also like