Real Madridi perfekt në Klasike, arrin rekordin 88-vjeçar

by admin
Spread the love

Reali i Madridit mun di Barcelonën në “El Clasico”-n e futbollit spanjoll dhe “sigloi” La Ligën këtë të diele (mungon vetëm matematika). Me 18 pikë të mbetura për të luajtur (gjashtë ndeshje), skuadra e Karlo Ançelotit kryeson me 11 pikë më shumë se skuadra e Ksavit. Distanca është tashmë praktikisht e paarritshme për Barcelonën, që do të arrinte të fitonte titullin vetëm nëse do të fitonte ndeshjet e veta dhe Reali i Madridit do të bënte një harakiri.

Në Spanjë dhe në Madrid nuk ka më dyshime për çështjen e titullit. Pikëpyetja e vetme është se kur do të zyrtarizohet titulli i 36-të i Madridit. Goli i Xhud Bellingam në minutën e 91-të në Klasiken e së dielës i dha Madridit më shumë sesa tri pikë. Goli i fitores nënkupton jo vetëm një fitore që e afron edhe më shumë me titullin kampion skuadrën e Ançelotit, por Reali arriti një rekord që dukej i pamundur për t’u thyer, që ekzistonte në Spanjë për 88 vjet! Fitorja e Realit në “El Clasico”-n e së dielës së shkuar ishte e treta në këtë sezon në Spanjë në po kaq takime që dy gjigantët spanjollë kanë zhvilluar mes tyre. Reali i Madridit fitoi Klasiken e parë në La Liga në “Montjuiç” 1-2 me dy gola nga Bellingam, pasi Gyndoan kishte kaluar në epërsi Barcelonën.

Më spektakolare fitorja e dytë e Realit në finalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite me shifrat 4-1 (tregolësh nga Vinicius dhe një tjetër nga Rodrigo). Qershia mbi tortë ishte Klasikja e së dielës së kaluar në La Liga në “Bernabéu”, 3-2 me golat e Vinicius, Lukas Vaskez dhe Bellingam. Këto tri fitore të Madridit në tre “El Clasico”-t e sezonit shënojnë një rekord historik, diçka që nuk kishte ndodhur që nga viti 1936. Kaq shumë kohë ka kaluar nga një datë në tjetrën saqë Madridi nuk kishte këtë emër asokohe. Atëherë quhej “Madrid FC”. Ishte koha e Republikës së Dytë në Spanjë. Ai sezon futbollistik 1935- 1936 ishte i fundit në të cilin Madridi i fitoi të tre duelet kundër Barcelonës në sezon… deri në 2023-2024. 88 vite më parë “Madrid FC”, Reali i sotëm mundte Barcelonën në të dy ndeshjet e luajtura në La Liga (0-3 në Barcelonë dhe 2-1 në Madrid) dhe gjithashtu mposhti katalanasit 2-1 në finalen e Kupës së Spanjës që atë vit u quajt Kupa e Presidentit të Republikës.

Finalja u luajt në stadiumin “Mestalla” të Valencias në një ndeshje të vetme më 21 qershor 1936, pak ditë para fillimit të luftës civile në Spanjë Kështu, Karlo Ançeloti arrin të mposhtë Ksavi Hernandezin në të tri ndeshjet e sezonit, por ka më shumë të dhëna. Katër “El Clasico”-t e fundit të luajtura janë fitore për Madridin. Në tre të përmendura këtë sezon është shtuar edhe ndeshja e dytë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit 2023, e luajtur më 5 prill, e cila përfundoi me një fitore të madhe të Realit të Madridit në “Camp Nou”, 0-4.

PANORAMASPORT.AL

You may also like