Raporti Vjetor i Performancës së ZKA-së për vitin 2021 dorëzohet në Kuvendin e Kosovës

by admin
Spread the love

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2021. Ky raport përmban informata të rëndësishme rreth performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e obligimeve të saj kushtetuese e ligjore, gjatë këtij viti.

Puna e Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm gjatë vitit
2021 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021 duke u fokusuar në
përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, zhvillimin e kapaciteteve profesionale
si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira me palët e jashtme. Aktiviteti
auditues është kryer sipas Planit Vjetor të Auditimit  për sezonin auditues 2020/21, ku janë
publikuar 131 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë si dhe
performancës.

Auditorja e Përgjithshme, Spanca, në fjalën e saj ka theksuar se pavarësisht sfidave me pandeminë Covid 19, ZKA-ja ka arritur të përmbushë objektivat institucionale në afat ligjor duke audituar fusha me interes për Kuvendin dhe qytetarët.

“Gjatë vitit 2021, kemi kryer auditimin e Raportit Vjetor
Financiar, përfshirë evidencat përkatëse të buxhetit të shtetit për vitin 2020,
i cili është mbështetur nga auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të të
gjitha organizatave buxhetore, dhe ndërmarrjeve publike. Gjithashtu, kemi kryer
auditimet e performancës, prokurimit publik dhe të teknologjisë së
informacionit, si dhe auditimet e projekteve të financuara nga fondet e
donatorëve”, është shprehur znj. Spanca, duke shtuar se për herë të parë në vitin
2021 janë kryer auditimet e veçanta të pajtueshmërisë dhe po ashtu janë
audituar informata të klasifikuara me ligj.

Këto auditime kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të
rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe
shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës
për para. “Përmes rekomandimeve të auditimit ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin
e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit
të tyre”, ka theksuar znj. Spanca në fjalën e saj.

Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e
Përgjithshme, Vlora Spanca, ka shpalosur se janë dërguar 52 raste me elemente
potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit.
 

Po ashtu gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka avancuar metodologjinë
për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, digjitalizimin e punës
audituese, duke shtuar dhe përsosur me mundësi të reja sistemin elektronik të
auditimit.

Raporti përmban informacion të hollësishëm edhe për menaxhimin
financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional
të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e
interesit.

Vlen të theksohet se në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar,
ZKA-ja ka marrë pjesë në aktivitete të organizatave ndërkombëtare si: INTOSAI,
EUROSAI dhe atyre regjionale, ndërsa është përmbyllur me sukses zbatimi i projektit
të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit
të Kosovës” me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë, i financuar nga
Bashkimi Evropian. Gjithashtu, ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të
Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks
në fushën e auditimit të performancës.  

Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2021 mund
ta gjeni këtu.

You may also like