RAMALLAH – Abbas: Siguria dhe paqja arrihet duke i dhënë fund pushtimit izraelit

by admin
Spread the love

RAMALLAH, 6 mars /ATSH-AA/ – Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha se arritja e sigurisë dhe paqes varet nga ndërprerja e okupimit të territorit palestinez nga Izraeli duke nënvizuar imperativin për një tërheqje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdogan në Ankara, Abbas tha se “siguria dhe paqja mund të arrihen vetëm duke i dhënë fund pushtimit izraelit të tokës palestineze, me kryeqytetin e tij Jerusalemin Lindor”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt konsolidimit të unitetit tonë në përputhje me programet politike dhe angazhimet ndërkombëtare të Organizatës për Çlirimin e Palestinës”, shtoi ai.

Abbas dhe Erdogan diskutuan mbi “zhvillimet e fundit në Palestinë, strategjitë për të ndalur agresionin e ashpër izraelit dhe mizoritë kundër popullatës në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalem”.

Udhëheqësit theksuan rëndësinë e “ndjekjes së një rezolute politike, duke filluar me arritjen e anëtarësimit të plotë të Palestinës në OKB dhe njohjen e shtuar nga kombet e tjera”.

Abbas paralajmëroi kundër “përshkallëzimit të mundshëm të tensioneve gjatë muajit të Ramazanit për shkak të praktikave izraelite dhe pengimit të aksesit të adhuruesve në xhaminë Al-Aksa”.

Ai përsëriti “kundërshtimin e vendosur të Palestinës ndaj zhvendosjes së popullit të saj nga Gaza, Bregu Perëndimor ose Jerusalemi”, duke theksuar domosdoshmërinë e një tërheqjeje të plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës, duke e konsideruar atë një komponent integral të shtetit palestinez.

Presidenti palestinez mbërriti dje në Turqi për një vizitë zyrtare treditore./   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like