Qindra traktorë bllokojnë rrugët e Barcelonës teksa protestat e fermerëve vijojnë në BE (fotot)

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Rreth njëmijë fermerë me traktorë ecnin sot ngadalë në rrugët e Barcelonës duke iu bashkuar protestës në shumë vende evropiane kundër rregullave kufizuese të punës e prodhimit të tyre.

“Jemi këtu sepse burokracia e rregullave që na imponohen çdo ditë po na mbyt”, tha fermeri 45 vjeçar Joan Maia Sala, duke iu referuar rritjes së kostove të karburantit, kërkesave mjedisore të vendosura nga Brukseli dhe formaliteteve burokratike të kërkuara.

Fermerët në të gjithë Spanjën u mblodhën në mëngjes herët në dhjetra rrugë duke bllokuar trafikun, shumë prej tyre në zonën jugore të Andaluzisë, në rajonin verilindor të Katalonjës dhe në Navarra në veri, njoftonin autoritetet rrugore të Madridit.

Qindra traktorë ecnin ngadalë në rrugët e qytetit të dytë më të madh të Spanjës, Barcelona, qendra e krahinës së Katalonjës, teksa më vonë ata ndaluan para selisë së qeverisë rajonale.

Traktorët bllokuan gjithashtu rrugët drejt portit të jugor të Malaga në Andalusi, si dhe portin lindor të Castellon, sipas autoriteteve.

Disa momente tensioni pati mes demonstruesve dhe policisë, teksa pesë fermerë raportohej se u arrestuan në Granada, thanë mediat vendase.

Tre sindikatat kryesore spanjolle të bujqësisë Asaja, Coag e UPA, thanë se nuk ishin organizatore të protestës se sotme. Ato shtonin se do të protestojnë nesër në Salamanca dhe të premten në qytetin verior të Bilbao, sipas rrjetit AFP.

Fermerët kanë protestuar me traktorë thuajse në të gjitha vendet e BE prej politikave shtrënguese të reduktimit të subvencioneve, kritereve të kufizimeve ambjentaliste të prodhimit dhe favorizimit të importeve të lira nga jashtë BE.

Spanja është nga prodhuesit kryesorë në Evropë të frutave dhe perimeve, por tre vitet e fundit çuditërisht është përfshirë nga kushte të rralla thatësire, zjarre dhe faktorë të tjerë që kanë dëmtuar prodhimet.