Qeverisë i kërkohet të jetë më dashamirëse me opozitën, duhet unitet për dialogun me Serbinë

by admin
Spread the love

Qeveria duhet të jetë më dashamirëse ndaj opozitës dhe të jap hapësirë për bashkëpunim më konstruktiv për t’i tejkaluar sfidat me të cilat përballet vendi i ka thënë Ekonomia Online, profesori universitar, Arben Fetoshi.

Tutje ai thotë se pa një unitet është e vështirë që
të tejkalohen sfida, duke theksuar se po unitet funksional pozitë-opozitë është
vështirë të përballohet sfida më e madhe që ai e konsideron dialogu
Kosovës-Serbi.

“Natyrisht unë besoj që situata nëpër të cilën po kalon vendi krizat e
një pas njëshme kanë kërkuar që raportet në mes pozitës dhe opozitës të jenë më
bashkëpunuese, më të shëndetshme në kuptimin e zgjidhjeve të ofruara dhe jo
vetëm të një lufte që vazhdon ta karakterizoj raportin në mes pozitës dhe
opozitës. Në këtë pikëpamje e kam thënë disa herë, besoj që Qeverisë i ka
takuar që jetë më dashamirëse ndaj opozitës dhe të jap hapësirë për një
bashkëpunim më konstruktiv për t’i tejkaluar sfidat me të cilat përballemi”.

“Jo vetëm në kuptimin e krizës së brendshme, që reflekton ngritjen e
çmimeve dhe probleme të tjera që kanë qytetarët e vendit tonë por edhe sa i
përket sfidës kryesore që kemi në politikën e jashtme dhe që është procesi i dialogut
me Serbinë. E në këtë kuadër besoj që pa një unitet funksional të pozitës dhe
opozitës do ta kemi të vështirë që ta përballojmë këtë sfidë të madhe që tashmë
e ka kaluar një dekadë”.

Fetoshi në një intervistë për Ekonomia Online tha
se gjendja politike në vend nuk është shumë e qetë.

“Gjendja politike në përgjithësi konsideroj që
është jo shumë e qetë. Në qoftë se i referohemi opinionit publik për sa i
përket shqetësimeve që lidhen me luftën në Ukrainë dhe për sa i takon
marrëdhënie të Kosovës me Serbinë të cilat për një kohë shumë të gjatë tashmë
nuk po shohin dritën e një konkludimi të suksesshëm të marrëveshjes në kuadër
të bisedimeve me Serbinë. Për ndryshe jam i bindur që kemi të bëjmë me një
situatë të qetë dhe nuk ka ndonjë rrezik potencial për vendin tonë”.

Sa i përket punës së Qeverisë së Kosovës, në periudhën një vjeçare, ai
thotë se ka pasur dështime në politikën e jashtme dhe raporteve me partnerët
ndërkombëtar.

Ai thotë se në planin e brendshëm ka pasur zhvillime të cilat mund të
kualifikohen si pozitive, raporton EO.

“Në përgjithësi unë besoj që Qeveria ka mund të bëjë më shumë. Pra, në
qoftë se kërkoni një përgjigje të shkurtë, përgjigjja ime do të ishte që
ekzekutivi dhe institucionet e vendit kanë mundur të bëjnë shumë më shumë
brenda këtij viti ndonëse nuk jam prej atyre që dua ta shoh me syrin kritik
gjithçka që e ka karakterizuar punën një vjeçare të Qeverisë sidomos në planin
e brendshëm ose në premtimin e tyre të luftës kundër korrupsionit që besoj që
është një prej brengave të qytetarëve të vendit tonë. Mirëpo në anën tjetër
këtë vit të Qeverisë e karakterizon një performancë jo e mirë sa i përket
raporteve me partnerët tanë ndërkombëtar”.

“Pra në përgjithësi ajo që mendoj që e ka karakterizuar Qeverinë në planin
e brendshëm besoj që ka pasur zhvillime të cilat mund të kualifikohen pozitive.
Ndërkohë që në planin e jashtëm ose në politikën e jashtme kemi pasur çalime
dështime, skandale të një pas njëshme të diplomacisë tonë, mungesë të një
aktiviteti intensiv që do t’i përgjigjej sfidave me të cilat përballet Kosova
nga ana e diplomacisë tonë dhe në përgjithësi raportet të cilat natyrisht unë
besoj që Qeveria duhet të tregohet e vëmendshme për t’i kultivuar sa më shumë
që është e mundur dhe për t’i forcuar sa më shumë marrëdhëniet që ne duhet të
kemi me partnerët ndërkombëtar”.

Përderisa njohësi i rrethanave politike në vend, Bekim
Kabashi në një intervistë për Ekonomia Online tha se gjendja politike në vend
momentalisht është stabile.

Kurse sa i përket sigurisë në vend ai thotë se duhet
të tregohemi më të kujdesshëm në veprime pasi mund të përballemi me një krizë
të panevojshme.

“Gjendja politike mundem me thënë që është stabile për faktin se e
kemi një Qeveri stabile shkaku i numrave që i kanë në Kuvend dhe i raporteve
brenda koalicionit. Në pamje të parë duket që të jetë stabile. Çështja e
sigurisë nuk është që ka ndonjë ndjeshmëri të madhe që ne mundemi me u shqetësuar
për çështjen e sigurisë, por sigurisht lufta e Ukrainës e bënë më të ndjeshme
situatën dhe këtë e thonë të gjithë. Na len me kuptu që duhemi me qenë pak më
vigjilent, më të mobilizuar edhe për formën se si veprojmë, si reagojmë pasi që
jemi në një ambient krize si rajon që është Ballkani. Raportet tona me Serbi
dhe këto mund të ndikojnë në çdo moment nëse veprohen jo ndërgjegjshëm që ta
qojnë situatën drejt një krize të panevojshme”.

Kabashi thotë se opozita nuk është shumë aktive, megjithatë sipas tij,
raporti politik pozitë-opozitë është më i qeti që nga shpallja e pavarësisë së
Kosovës.

“Bashkëpunimi pozitë-opozitë, shihet një opozitë nëse nuk i themi
konstruktive mundem me thënë një opozitë që nuk është shumë aktive dhe në këtë
pikë i bie që bashkëpunimi është korrekt. Çdo herë opozita, nuk është që ka
najfar raporti të bashkëpunimit me pozitën përveç raportit të oponencës,
ndonjëherë edhe deri në atë shkallë që është oponencë e vrazhdë që e sfidon
Qeverinë”.

“…në këtë rast ne kemi një opozitë të dobët për faktin se Qeveria është e
fortë, i ka numrat që është e palëkundshme. Kështu që raporti politik
pozitë-opozitë është më i qetë se sa ka qenë ndonjëherë që nga shpallja e
pavarësisë së Kosovës”.

Tutje Kabashi tha se Qeveria aktuale nuk ka pasur skandale sa i përket
korrupsionit e krimit, por ai shton se nuk ka projekte që japin shpresë për
ndryshime pozitive.

“Qeverinë tash mundemi me shiku prej disa këndeve. Sa i përket
skandaleve, aferave korruptive ku në media ose opinioni e ka syrin kryesor
kritik në atë pikë, mund të themi që kjo Qeveri nuk e ka asnjë skandal të madh
që mundesh me i thënë që ka bë gabime në këtë pikë dhe është për tu çmuar puna
e saj. Sa i përket pjesës së projekteve, mund të themi që nuk ka projekte
konkrete që jep shpresë për ndryshime pozitive”.

“Kosova është një vend i varfër, prej më të varfëve në rajon e mos të flasim për Evropë, me shkallë të lartë të papunësisë, me emigracion shumë të lartë dhe pavarësisht që Qeveria thotë që ka shifra të mëdha të punësimit ato nuk janë shifra që ne i shohim ose i prekim. Munden me që zyrtarizimi i vendeve të punës që ka qenë, por jo punësime të reja, 25 mijë punësime në Kosovë siç i prezanton qeveria, janë të pa kapshme për syrin tonë, ato nuk munden me qenë reale sepse Kosova është vend i vogël”.

You may also like