Punë praktike për 10 mijë të rinj, Ministria e Financave nis koordinimin me biznese

by admin
Spread the love

Ministria e Financave në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë kanë organizuar tryezën e diskutimit lidhur me mundësitë e angazhimit në punë praktike të 10 mijë të rinjve, përmes platformës “Kosovo Generation Unlimited”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në hapjen e tryezës së diskutimit u shpreh se punësimi i dinjitetshëm është prioritet kyç i kësaj qeverie, me fokus të veçantë punësimin e të rinjve.

“Për këtë qëllim në bashkëpunim me UNICEF-in jemi zotuar që në kuadër të “Generation Unlimited”, 10 mijë të rinjve t’iu ofrojmë mundësinë e punës praktike në kompanitë private që janë pjesë e rrjetit CSR Kosova”.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, u shpreh se ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, Kosova ka një popullsi të re e cila mund të bëhet motor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Kështu, ajo theksoi se “Kosovo Generation Unlimited” do t’iu ofrojë të rinjve një qasje dinamike për t’u aftësuar profesionalisht si në aspektin e punës praktike ashtu edhe në zhvillimin e aftësive të buta.

Gjatë kësaj tryeze u prezantua modeli trepalësh i bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Financace, UNICEF-it dhe Rrjetit CSR për bashkëpunim në kuadër të “Generation Unlimited” për dy vitet e ardhshme.

Ky bashkëpunim do të kontribuojë në praktikat më të mira në promovimin e punësimit dhe fuqizimit të të rinjve për zhvillimin e aftësive dhe përvojës së punës, duke përfshirë punën praktike dhe mentorimin.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm udhëheqës qeveritarë, ambasadorë, përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare zhvillimore, si dhe akterë kryesorë nga sektori privat.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndajnë përvojat e tyre si dhe praktikat më të mira për fuqizimin e të rinjve. Gjatë diskutimit, sektori privat paraqiti sfidat kryesore sa i përket fuqisë punëtore dhe ndanë idetë e tyre sa i përket intensifikimit të bashkëpunimit në mes të sektorit privat dhe Qeverisë.

 

You may also like