Pse Turqia është kaq e rrezikuar nga tërmetet?

by admin
Spread the love

Ka disa arsye pse toka në Turqi dhe Siri po dridhet vazhdimisht, sipas sizmologëve. Ja disa nga shpjegimet e ekspertëve…

Të paktën 5021 persona kanë humbur jetën nga dy tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën. Sipas shifrave më të fundit zyrtare, në Turqi numri i viktimave ka arritur në 3419.

Zv.presidenti turk, Fuat Oktay, tha në një dalje televizive se numri i të plagosurve ka arritur në mbi 20 500.

Deri tani, janë 11 mijë godina të dëmtuara, tha Orhan Tatar, një zyrtar i Autoritetet të Emergjencave Civile. Në terren po punojnë rreth 25 mijë persona.

Në Siri, numri i të vdekurve është rritur në mi 1600, sipas shifrave zyrtare në zonat e kontrolluara nga qeveria, si dhe rebelët e opozitës. Gjithashtu, në vend raportohet për mbi 3600 të plagosur.

Lëvizjet e pllakave kontinentale

Toka dridhet shpesh në këtë rajon. Po pse? Korja e Tokës paraqet një lloj enigme – është relativisht dinamike, që do të thotë e lëvizshme dhe përbëhet nga shumë pjesë individuale, nga disa pllaka gjigante oqeanike dhe disa pllaka më të vogla kontinentale. Shkencëtarët nuk janë të sigurt akoma se sa pllaka tektonike dhe më të vogla ekzistojnë.

Këto pllaka lëvizin vazhdimisht – disa centimetra në vit. Kjo është krejt normale. Ato largohen nga njëra-tjetra, fërkohen mes vete ose ndonjëherë shtyjnë njëra-tjetrën. Dhe si pasojë lëviz edhe pjesa e sipërme e tokës, e këto lëvizje quhen tektonikë e pllakave.

I rrezikuar i tërë rajoni i Stambollit

Edhe në tetor 2020, një tërmet tronditi detin Egje. Epiqendra ishte afër provincës turke të Izmirit, afër sipërfaqes së detit. Më shumë se 100 njerëz vdiqën atëherë dhe më shumë se 1.000 u plagosën.

Turqia ka qenë prej kohësh një territor interesant për studiuesit e tërmeteve. Qendra Gjermane Kërkimore për Gjeoshkencat (GFZ) nga Potsdami instaloi pajisje matëse në Turqi në vitet 1980 dhe monitoron situatën sizmike atje. Rezultatet tregojnë se rreziku i tërmeteve është shumë i lartë në të gjithë rajonin përreth Detit Marmara, në bregun e të cilit ndodhet Stambolli.

“Nuk është pyetja nëse do të ndodhë ndonjë tërmet atje, por vetëm kur do të ndodhë,” tha Marko Bonhof, një sizmolog nga GFZ dhe ekspert, në vitin 2019. Ai, si dhe ekspertë të tjerë e bazojnë këtë vlerësim në përvojën e disa tërmeteve të forta gjatë historisë së Stambollit, bazuar në matjet që tregojnë lëvizje të vazhdueshme të pllakave nën detin Marmara dhe faktin se pikërisht pranë Stambollit është një zonë e rrezikuar nga tërmetet, që ka qenë në mënyrë të dyshimtë e qetë për një kohë të gjatë, raporton DW.

“Ka shumë indikacione se zona është bllokuar prej kohësh. Ngrihen sforcime që përfundimisht tejkalojnë edhe forcën e shkëmbit dhe më pas zvogëlohen papritur brenda pak sekondash duke lëvizur të dyja pllakat tektonike për disa metra”, shpjegoi ai në një intervistë për platformën shkencore “ESKP” (Earth System Knowledge Platform).

Çfarë është vendimtare për stabilitetin e shtëpive dhe godinave?

Rreziku real për ndërtesat, infrastrukturën dhe popullsinë lokale janë valët e tërmetit që rezultojnë si pasojë e këtyre zhvillimeve. Prandaj, sipas Bonhoff, pyetja nuk është “nëse do të jetë i fortë”, por “sa i fortë do të jetë ai (tërmeti)” dhe “kur do të ndodhë tërmeti i radhës”.

Në të njëjtën kohë, mbrojtja më e mirë kundër tërmeteve për shtëpitë dhe ndërtesat është një ndërtim rezistent ndaj lëkundjeve të tokës. Ky ndërtim fatkeqësisht kushton shumë, thotë sizmologu. Dhe në të njëjtën kohë, pyetja është se cila është zgjidhja më e mirë: rinovimi i ndërtesave ekzistuese apo ndërtimi i godinave të reja nga themeli. Gjatë tërmetit në rajonin kufitar Turqi-Siri të hënën në mëngjes u rapotua për mijëra ndërtesa të shembura vetëm në Turqi.

“Në fotot që kanë arritur mund të shihni se disa nga ndërtesat e shembura janë ndërtuar para hyrjes në fuqi të rregulloreve moderne të sigurisë sizmike. Ata nuk janë projektuar për t’i bërë ballë një tërmeti të kësaj magnitude”, thotë Mohammed Kashani, profesor i inxhinierisë civile dhe tërmeteve në Universitetin e Southampton në Britani të Madhe.

“Kombinimi i fuqisë së madhe dhe një epiqendre relativisht afër sipërfaqes së tokës i dha këtij tërmeti një fuqi kaq të madhe shkatërruese.” Ne duhet të shikojmë nga afër ndërtesat e shembura dhe të mësojmë nga kjo ngjarje e tmerrshme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë në të ardhmen godina dhe qytete rezistente ndaj tërmeteve”, thotë eksperti.

Këtu nuk luan rol vetëm mënyra se si është ndërtuar ndërtesa apo shtëpia, por edhe trualli mbi të cilin është ndërtuar. Në thelb, sa më e fortë të jetë baza për ndërtim, aq më mirë. “Është më mirë nëse toka përbëhet nga graniti, sepse ajo është krejt ndryshe nga ndërtimi mbi rërë ose mbi tokën pjellore,” thotë Bonhoff.

Në tokën e butë, lëvizjet e tokës mund të përforcohen. Një sizmolog e krahason këtë me rërën e lagësht në një plazh. Nëse kërceni në vend, në këtë sipërfaqe mblidhet edhe uji, e në këtë vend “edhe nëntoka bëhet jostabile.”

You may also like