Protestat “antibullgarizim” në Shkup, aktakuza për dhunë – Shqip

by admin
Spread the love

Prokuroria Themelore në Shkup ngriti padi kundër 12 personave për pjesëmarrje në incidente në protesta kundër propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Siç njofton prokuroria, nëntë persona janë akuzuar për veprën penale të pjesëmarrjes në turmë që do të kryejë vepër penale dhe tre për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Ata akuzohen për “pjesëmarrje në turmë që ka kryer vepër penale të dhunës para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në tubimin publik të qytetarëve më 5 dhe 6 korrik”.

Në deklaratë saktësohet se si ata kanë hedhur gurë, pllaka bekaton, sende metalike, shenja trafiku, kosha plehrash dhe mjete piroteknike ndaj policëve që ndodheshin në kordon për të mbrojtur ndërtesën e Kuvendit.

Mësohet se një polic është lënduar rëndë, 26 prej tyre kanë pësuar lëndime fizike, ndërsa të pandehurit kanë dëmtuar objektin e Kuvendit në vlerë të përgjithshme prej 576.665 denarë, kanë dëmtuar pajisjen policore dhe një veturë policore Škoda Yeti.

Debati të enjten

Pasi një grup më i madh i protestuesve të rinj, disa prej të cilëve të maskuar, sulmuan kordonin policor para Kuvendit më 5 korrik, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se gjithsej 47 policë u plagosën dhe se 11 demonstrues të dhunshëm u ndaluan.

Protestat kundër propozimit francez për heqjen e vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE kanë vazhduar që nga 2 korriku, pasi protestuesit pretendojnë se pranimi i tij do të çonte në “bullgarizimin e vendit”.

Të enjten, më 14 korrik, përfaqësuesit e Kuvendit të Maqedonisë do të diskutojnë për informimin e Qeverisë për propozimin francez për heqjen e vetos bullgare dhe vazhdimin e procesit negociator për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. /tesheshi.com/

You may also like