Prokuroria e Specializuar dorëzon aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve

by admin
Spread the love

Zyra e Prokurorit të Specializuar të premtën e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, raporton “Gazeta Express”.

Versionin e redaktuar të aktakuzës së re,
Gjykata Speciale e ka publikuar të martën në web-faqen e saj.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka
përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat
akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe
ka më pak pjesë të redaktuara.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe
në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin
e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. “Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Më 4 korrik, një person (REDAKTUAR) po ngiste mbi një kamionetë, kur tre burra u ndaluan nga (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), të cilët kishin veshur uniforma të zeza dhe mbanin pushkë automatike. Një person i tretë me uniformë mbërriti dhe qëndroi përballë me një raketahedhëse. I futën në bagazhin e automjetit dhe i dërguan në një shtëpi në Budakovë. Të tre burrat u vendosën në një bodrum dhe pastaj u rrahën”, thuhet ndër tjerash në pjesër e reja të aktakuzës.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së, pa u specifikuar me
emra, akuzohen se u kishin shkaktuar “vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose
fizike”, si dhe kishin “sulmuar dinjitetin e viktimave, duke i ndaluar në
mënyrë arbitrare”.

“Një person (REDAKTUAR) dhe një shqiptar
tjetër, kur u arrestuan rreth datës 4 korrik 1998 iu drejtuan edhe armët.
Ndërsa po largoheshin nga vendi i arrestimit, u qëllua në (REDAKTUAR). Pas
arrestimit tre burrat i dërguan në një shtëpi në Budakovë, dhe i rrahën për një
orë. Tre burrat konsideroheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe u
torturuan edhe me ujë të nxehtë”, thuhet më tej në aktakuzë.

Në versionin e ndryshuar të aktakuzës janë
përfshirë edhe vrasje që pretendohet të jenë kryer në Budakovë e Semetishtë.

“Kufomat e të arrestuarve u gjetën rreth datës
23 gusht 1998, me gjurmët e armëve që i përkiste personit (REDAKTUAR). Analiza
e ADN-së konfirmoi se njëra nga kufomat e varrosura ishte e (REDAKTUAR)”,
thuhet ndër tjerash në aktakuzë, dhe shtohet se kjo “demonstroi qëllimin e tyre
për t’i vrarë, ose për t’iu shkaktuar lëndime me dashje”.

Në konviktin e Gjilanit, në disa raste,
pretendohet të jenë kryer krime të ngjashme, për të cilat Prokuroria i bën
përgjegjës Thaçin dhe të tjerët.

“Në konvikt, një person (REDAKTUAR), u
kontrollua dhe iu morën çelësat e veturës, dhe iu shqye patent-shoferi. Ai pasi
u arrestua, u rrah me shkopinj, dhe njëri prej personave e vendosi pistolentën
te viktima. Rrahja u krye në mënyrë të organizuar, dhe një nga personat jepte
udhëzime si të kryhej rrahja”, thuhet në pjesët shtesë të aktakuzës.

Përmendet edhe një rast tjetër, ku sipas
Prokurorisë, një person ishte rrëmbyer në Gjilan për t’u dërguar drejt
konviktit, dhe sipas Prokurorisë “nuk u pa kurrë më”.

“Trupi i tij u gjet më 2 qershor 2000. Vetëm
dy ditë më vonë, një tjetër person, u arrestua dhe u dërgua në konvikt dhe nuk
u pa më kurrë. Trupi i tij u gjet në vitin 2022”, thuhet në aktakuzë.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte
dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin,
Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa
qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata
se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Më 4 nëntor të vitit 2020, ish-zëdhënësi i
UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales.
Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe
ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep
Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i
procedurës paraprake i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër
ish-krerëve të UÇK-së.

You may also like